19korrik 2015 – Shoqata e pilotëve profesionistë kërkon më shumë siguri në sportin e Formula 1. Pas ndarjes nga jeta të francezit Jules Bianchi për shkak të aksidentit të rëndë që ish piloti i skuadrës Marussia pësoi në pistën e Suzukas në Japoni, shoqata e pilotëve profesionistë ka dalë me një komunikatë zyrtare ku i kërkon Fias të përmirësojë masat e sigurisë në pistat e Formula 1.

Bianchi 9 muaj më parë u përplas me një vinc duke marrë disa plagë të rënda në kokë, pasi luftoi për jetën për disa kohë në një spital në Nicë të Francës, 25-vjecari nuk arriti ta fitonte dot betejën me vdekjen duke u ndarë nga jeta. Pas asaj që ndodhi me pilotin francez Fia ka ndërhyrë duke përmirësuar jo pak masat e sigurisë megjithatë shoqata e pilotëve profesionistë nuk ka mbetur plotësisht e kënaqur nga ndryshimet që ka bërë federata ndërkombëtare e automobilizmit.

Në 10 vitet e fundit siguria në sportin e Formula 1 ka qenë shumë e lartë dhe rasti i Bianchi është i vetmi që një pilot nuk arritur ti mbijetojë një aksidenti. Përpara disa vitesh edhe polaku Robert Kubica u aksidentua rëndë por që nuk pati pasoja për jetën, përvec disa plagëve sipërfaqësore.

Shoqata e pilotëve profesionistë përvec se kërkoi masa më të larta sigurie doli me një komunikatë edhe për ndarjen nga jeta të Jules Bianchi. ” Formula 1 ka humbur një talent të madh, një njeri të shkëlqyer dhe një mik të madh. 21 vjet pas Ayrton Sennas dhe Roland Ratzenberger tashmë kemi humbur Jules Bianchi lexohet në komunikatën e shoqatës së pilotëve profesionistë.