Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit në Kosovë.
Pacienti i infektuar është një 30-vjeçar, i cili është kthyer nga Afrika dhe ka patur shenja klinike si ethe, temperaturë, ndryshime në lëkurë, duar dhe fytyrë, si dhe kruarje.
Për shkak të lëvizjeve të shumta të qytetarëve, Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë thotë se nuk ka vend për panik, por duhet treguar kujdes.
Eugena Tomini, drejtore e ISHP: Që në periudhën e Gushtit pas alarmit të dhënë nga OBSH, të gjitha strukturat janë aktivizuar kundrejt alertit të kësaj emergjence në të gjitha qendrat shëndetësore edhe në shërbimin e sëmundjeve infektive. Padiskutim që kujdesi ndaj higjenës, kontakteve të ngushta, grupeve specifike, kontakteve seksuale me shumë partnerë duhen patur paraysh nga populllata. Është një sëmundje që nuk duhet të krijojë panik për popullatën, por kujdesi sigurisht në kontaktet e ngushta duhet kujdes personal dhe komunitar.
ISHP është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore të Kosovës, për çdo rast apo kontakte të personave me pacientin e infektuar.
“Nga Instituti Kombëtar i Kosovës janë marrë të gjitha masat edhe institucioneve rajonale për hetimin e epidemiologjik të kontakteve të rastit në fjalë.”
Por si transmetohet lija e majmunit?
“Kontakteve të ngushta, prekjeve, marrëdhenieve seksuale dhe spërkalave.”
Specialistët e ISHP thonë se një person i infektuar mund të transmetojnë sëmundjen nga dita e parë deri në 3 javë. Ndërsa rikuperimi zgjat më shumë.
“Në fazën e 1 deri në 21 ditë nga kontakti primar me rastin e konfirmuar me linë e majmunit jemi infektues. 2 deri në 4 javë kërkon rikuperim.”
Lia e majmunit i përket së njëjtës kategori virusesh si lia, por shkakton simptoma më të lehta, si ethe, të dridhura dhe dhimbje trupi. Njerëzit e prekur më rëndë mund të kenë shenja në fytyrë, duar, gjoks dhe organet gjenitale.