Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të rifillojnë bisedimet tregtare në Londër të hënën, me qëllim zbutjen e tensioneve mbi metalet e rralla dhe teknologjitë e përparuara. Ky veprim vjen pas një telefonate midis presidentëve Donald Trump dhe Xi Jinping javën e kaluar.

Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për dështimin në zbatimin e një marrëveshjeje të Gjenevës në maj, e cila lehtësoi përkohësisht tarifat që ishin rritur mbi 100%. Pavarësisht përparimit fillestar, bisedimet kanë ngecur për shkak të akuzave të ndërsjella.

Pekini njoftoi të shtunën se kishte miratuar disa aplikime për eksport të metaleve të rralla, pa specifikuar se cilat vende ose industri po synonin. Nga ana e Uashingtonit, kreu i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kevin Hassett, e bëri të qartë se Shtëpia e Bardhë dëshiron të rifillojë plotësisht flukset e këtyre metaleve kritike, thelbësore për telefonat celularë, automjetet elektrike dhe sistemet e mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur pakënaqësi me kufizimin e importit të magneteve të rralla që ndikojnë në automjetet elektrike dhe mbrojtjen amerikane. Pekini, nga ana e tij, reagoi ndaj kufizimeve në eksportet e çipave të inteligjencës artificiale, motorëve të avionëve dhe vizave për rreth 280,000 studentë kinezë.

Në Londër, pala amerikane përfaqësohet nga Sekretari i Thesarit Scott Bessant, Sekretari i Tregtisë Howard Latnick dhe Përfaqësuesi i Tregtisë Jamie Greer. Prania e Latnick, përgjegjës për kufizimet në produktet teknologjike, shihet si një shenjë se Trump po shqyrton lehtësimin e disa kufizimeve që pengojnë rritjen kineze.

Edhe pse telefonata Trump-Xi i dha Wall Street-it njëfarë shprese për ulje të tarifave, optimizmi i investitorëve mbetet i pakët. Deri më tani, e vetmja marrëveshje e re që Trump ka nënshkruar është me Mbretërinë e Bashkuar.