RCE Albania synon krijimin e formave të reja të organizimit, të cilat, përmes veprimeve konkrete, do të mund të influencojnë politikat e zhvillimit, përfshirjen dhe ndërgjegjësimin e aktorëve dhe komunitetit për aspektet e jetesës së qëndrueshme dhe krijimin e një rrjeti të fortë rajonal që mund të bëhet faktor për zhvillimin e rajonit  

Dekada e edukimit për zhvillim të qëndrueshëm e ka quajtur Organizata e Kombeve të Bashkuara periudhën kohore 2005-2014, kohë gjatë të cilës do të punohet për ta bërë sa më të kuptueshëm për masat e gjera të popullsisë konceptin abstrakt “zhvillim i qëndrueshëm”. Përmes programeve të veçanta dhe ngritjes së strukturave përkatëse OKB-ja ka synuar ta shtjellojë këtë koncept në masa konkrete edukimi, duke i përkthyer objektivat botërore në kontekstin e komuniteteve lokale. RCE-të (Regional Centre on Education for Sustainable Development) janë ngritur gjatë këtyre viteve në shumë vende të botës dhe po punojnë intensivisht me anë të nismave dhe projekteve të ndryshme për ta bërë sa më të implementueshëm në shoqëritë respektive këtë koncept të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Pikërisht për ta bërë sa më të prekshme dhe të kuptueshme këtë nismë edhe në vendin tonë muaj më parë ka nisur proçesi i krijimit të RCE Albania, (Qendra Rajonale e Ekspertizës dhe Edukimit për Zhvillim të Qëndrueshëm), e cila po aplikon për t’u akredituar nga Universiteti i Kombeve të Bashkuara (UNU-IAS), me qendër në Japoni dhe për t’u bërë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të përbërë nga 100 RCE.

Qëllimi i RCE Albania

Qëllimi kryesor i punës së RCE Albania është inkurajimi i të gjithë të interesuarve, që u përkasin fushave të edukimit dhe zhvillimit të jenë pjesë e një proçesi për krijimin në vazhdimësi të një shoqërie të qëndrueshme. Në këtë kontekst, Edukimi për Zhvillimin e Qëndrueshëm përfshin edukimin formal (Edukimi nga sistemi i shkollave, nga kopshtet deri te universitetet), Jo formal (Edukimi nga trajnimet dhe ndërgjegjësimi i publikut nga organizatat jashtë sistemit të shkollave) si dhe edukimin  Informal (Edukimi nga media, edicionet informative, dokumentarët, emisionet etj).

RCE Albania nisi si iniciativë e një grupi individësh aktivë në fushën e Zhvillimit të Qëndrueshëm, me pjesëmarrjen e pushteteve vendore të qarqeve Tiranë, Durrës Elbasan; të disa shoqatave si: Fondacioni për Zhvillimin Ekonomik dhe Mjedisor Durrës, Shoqata për Eco-turizmin, ECO-tour Albania, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Klubi Rotarian Elbasan; të bizneseve si: 3A Kërkim dhe Zhvillim, AND-Architects, Chip Star, “Reasearch and development” të Universiteteve si “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan,  Instituti i Bio-Agrikulturës Durrës, Qendra e Ekselencës e Universitetit të Tiranës, si dhe me mbështetjen e partnerëve të huaj: Van Hall Larenstein, në Hollandë, UESF-United for Education and Sustainable Future, Austri dhe Foundation for Development në Francë. Kjo iniciativë përfaqësohet zyrtarisht nga Universiteti  Europian  i Tiranës. Qëllimi i krijimit të kësaj qëndre është synimi për të bashkuar dhe koordinuar iniciativat e aktorëve nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta duke shërbyer si platformë për shkëmbimin e informacionit; inkurajimin e inovacionit dhe influencimin në politikat e zhvillimit; përmirësimin e cilësisë së edukimit; rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e Edukimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm në kontekstin rajonal duke synuar drejt përmirësimit të cilësisë së jetës. I gjithë ky projekt bazohet në katër elemente bazë që janë: Qeverisje, Bashkëpunim, Kërkim shkencor, Transformim i Edukimit.

Trekëndëshi Tiranë-Durrës-Elbasan

RCE-Albania do t’i përqendrojë aktivitetet në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan për shkak të pozicionit strategjik të këtij rajoni në lidhje me gadishullin e Ballkanit dhe Europën. Në të njëjtën kohë, në këto tri qarqe kemi një përqëndrim të madh të popullsisë dhe aktiviteteve  ekonomike në këto 20 vitet e fundit. Ky trekëndësh vazhdon të jetë një magnet për popullsinë që jeton në zonat rurale dhe në qarqet e tjera të vendit. Krahas përqendrimit të një numri mjaft të madh biznesesh, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan funksionojnë shumë institucione arsimore të të gjitha niveleve. Duke e konsideruar rajonin Tiranë-Durrës-Elbasan, një formë të re metropoli, RCE Albania do të kontribuojë në krijimin e një rajoni të vet menaxhueshëm përsa i përket burimeve natyrore dhe urbane, inovacionit dhe gjithëpërfshirjes si dhe lidhjen e rajonit me praktikat e avancuara të rrjetit të RCE-ve dhe institucioneve ndërkombëtare.



 

Ku do fokusohen aktivitetet e RCE Albania?

Zhvillimi i Qëndrueshëm kombëtar është i lidhur ngushtë me atë rajonal. Për këtë arsye aktivitetet e RCE Albania do të përqendrohen jo vetëm në sfidat e zhvillimit kombëtar, por dhe ato rajonale. RCE Albania do t’i fokusojë aktivitetet në: a) Edukimin në nivelet elementare, ku nëpërmjet aktiviteteve praktike do të influencohet ndryshimi i kurrikulës (Aktivitete me nxënësit e klasave të fillores për ciklin e mbjelljes së perimeve bio dhe dekompostimit, riciklimit, kopshteve bio, etj); b) Bashkëpunimin e Rajonit, nëpërmjet planeve dhe aktiviteteve të përbashkëta, përsa i përket zhvillimit të qëndrueshëm në disa linja si ekoturizmi, menaxhimi i burimeve me pjesëmarrjen e komunitetit etj.; c) Kërkimi shkencor dhe shkëmbimi i informacionit nëpërmjet trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve, për të theksuar rëndësinë e influencës së këtij kërkimi në zhvillimet e rajoneve si dhe  orientimit të edukimit drejt zhvillimit të qëndrueshëm. d) Inkurajimi i inovacioneve, nëarkitektura të qëndrueshme, për të krijuar rrjedhjen e informacionit shkencor nga institucionet e edukimit drejt bizneseve.



 

Fushat ku përqendrohet RCE Albania

  • Zhvillimi i pakontrolluar i territorit
  • Problemet mjedisore (energjia, menaxhimi dhe cilësia e ujërave,  menaxhimi i mbetjeve etj.)
  • Decentralizimi i ngadaltë
  • Kërkesa për një sistem të kualifikuar edukimi që t’i përgjigjet rritjes së shpejtë të zhvillimit dhe balancimit të zhvillimit të zonave rurale dhe urbane