Forcat e sigurisë së Mianmarit hapën zjarr gjatë një funerali të dielën në Rangun, një ditë pasi më shumë se 100 njerëz u vranë gjatë protestave kundër grushtit ushtarak të shtetit.

Pjesëmarrësit në funeralin e një studenti 20-vjeçar në Rangun thanë se u detyruan të largoheshin pasi u qëlluan.

Asnjë viktimë nuk u raportua nga ky incident. Sipas njoftimeve të lajmeve dhe dëshmitarëve, të paktën gjashtë fëmijë mes moshës 10 dhe 16 vjeç ishin mes viktimave që u vranë të shtunën.

Disa orë më vonë, Presidenti Joe Biden dënoi veprimet e ushtrisë.

“Është e tmerrshme, është absolutisht e papranueshme. Një numër i madh njerëzish janë vrarë pa qënë e panevojshme,” tha ai.

Raportuesi Special i OKB-së për Mianmarin tha se ushtria po kryente ‘vrasje masive’. Ai bëri thirrje për një izolim të juntës, duke ndërprerë fondet e saj për naftë dhe gaz, si dhe ndalimin e ushtrisë për të patur qasje tek armët.

Diplomati i lartë i BE-së Josep Borrell u bëri thirrje gjeneralëve të Mianmarit të qëndrojnë larg nga ajo që ai tha se ishte një ‘rrugë e pakuptimtë’ e dhunës kundër njerëzve të tyre.

Junta ushtarake e Mianmarit mori pushtetin më 1 shkurt, ndërsa udhëheqësja e zgjedhur Aung San Suu Kyi mbetet në paraburgim në një vend të paditur. Kritikat dhe sanksionet e vendosura nga disa vende perëndimore kanë dështuar deri më tani të ndikojnë udhëheqësit ushtarakë.

Qindra njerëz kanë vdekur në protestat e vazhdueshme që nga fillimi i grushtit të shtetit./VOA