Lojtarët kuqezi u shfaqën të zhgënjyer pas humbjes me Italinë në “Loro Boriçi”. Të intervistuar në Supersport, kuqezinjtë vlerësuan njëzërashi paraqitjen pozitive të skuadrës, duke theksuar se Shqipëria nuk e meritonte këtë rezultat.

Armando Sadiku: “Nuk e meritonim humbjen. Ishte një gabim në mbrojtje. Ndeshjen e luajtëm të barabartë me Italinë. Pas golit i krijuam raste rivalit. Mendoj se të gjithë dhanë 100% të tyre. Për të ardhur keq. Nëse do të kishim pasur fat në disa goditje, ndeshja do të kishte marrë rrjedhë tjetër, çaluam pak në fund. Çdo trajner bën zgjedhjet e veta. Mendoj se luajtëm të barabartë me Italinë.” 

Mërgim Mavraj: “Nuk patëm diferenca me Italinë. Ata ishin nervozë që në fillim, pasi e dinin që do të ishin nën presion. Italia u tregua e durueshme dhe na ndëshkoi me rastin e parë të pastër që pati. Është më mirë kur luan shpesh me të njëjtin formacion, por vendos trajneri. Ne kemi forcën për t’u rikthyer, e kemi treguar edhe më parë, në Europian.”

Eros Grezda: “Ishte një ndeshje pozitive, jo vetëm për mua, por për të gjithë skuadrën. Treguam që dimë të luajmë një futboll cilësor. Mendoj se dhe sfida me Spanjën ishte pozitive, pavarësisht rezultatit. Unë po kaloj një formë të mirë dhe dëshiroj t’ia shpërblej besimin trajnerit, edhe pse mund të bëj më shumë dhe më duhet të shënoj gola.”

Ansi Agolli: “Në të tilla ndeshje motivimi nuk është i vështirë. U munduam ta përgatisnim sa më mirë ndeshjen. Goli? Ishte dhe një mungesë pozicioni edhe komunikimi. Ishte gabim dhe u ndëshkuam. Më vjen keq pasi guaxuam në lojë.”