Ambasadorë të vendeve të QUINT-it u shprehën kritikë për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë u kanë bërë thirrje partive politike që të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve. Thirrja erdhi pas dështimit edhe të tentativës së dytë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të Enjten, pasi kryesuesi më i vjetër në moshë i Kuvendit nuk hodhi në votim në seancën e 17 Prillit raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, raport ky që dështoi të miratohet edhe në seancën e para 2 ditëve.
Rohde: Urgjentisht i nevojshëm bashkëpunimi
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, tha se konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka ngecur, “për shkak të taktikave penguese”. “Qytetarët meritojnë politikanë që e vënë Kosovën para politikave partiake. Prandaj e përsëris: Bashkëpunimi i mirëfilltë është urgjentisht i nevojshëm për të garantuar institucione funksionale dhe formim të shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, shkroi Rohde në rrjetin social Bluesky.
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, tha se “Kosova ka nevojë urgjente për formimin e institucioneve të reja, pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve”. “Njerëzit kanë të drejtë të presin nga liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes të vendit”, shkroi ambasadori britanik në Prishtinë, Hargreaves, në profilin e tij social.
Kritikat e opozitës ndaj qeverisë
Partitë politike opozitare të deritashme thonë që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po e zvarrit qëllimshëm mbarëvajtjen e seancës konstituive me qëllim të pazareve politike. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, ndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve. Ky raport është një procedurë që duhet kaluar për të vazhduar me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, që doli partia e dytë në zgjedhje, tha se Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje, “po e zvarrit qëllimshëm mbarëvajtjen e seancës konstituive”.”VV-ja po mundohet të blejë kohë për t’i bërë numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve. Këta nuk kanë shumicë parlamentare, e meqenëse nuk kanë, po duan me ble kohë, me i bo pazaret”, tha Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se “kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit”. “Qytetarët e kanë shumë qartë kush janë bllokuesit e vërtetë. Kryesuesi që rastis të jetë më i vjetri në moshë, rastisi të jetë nga partia e parë, veproi kundër Rregullores së Kuvendit, kundër praktikës kushtetuese, pa të drejtë ndërpreu seancën e sotme, edhe pse kishte kuorum të mjaftueshëm, ndonëse kishte kushte për votimin. Është për keqardhje kjo praktikë bllokuese për institucionin më të lartë. Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e rëndë, është sjellje e mbrapshtë politike”, u shpreh Abdixhiku.
Lëvizja Vetëvendosje premton gatishmëri për zgjidhje të situatës
Ndërkohë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se duan të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar në Kuvend pas mosmiratimit të raportit të mandateve. Ata i referohen deklaratës së Presidentes së Kosovës, e cila u ka kërkuar deputetëve që të gjejnë zgjidhje. “Ne duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit, por duhet të shohim se si është mënyra për ta korrigjuar atë vendim”, u shpreh Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja. Ajo thekson, se Vetëvendosja ka vullnet që të propozojë mënyra se si duhet shkuar më tej. “Pra, a do të jetë një komision i ri apo komisioni paraprak të bëjë përgatitjen e raportit të ri, mund të ketë dhe propozime të tjera dhe të vazhdojë”, tha Haxhiu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dy ditë më parë u kërkoi deputetëve, duke cituar nene të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, që seanca konstituive duhet të vazhdojë jo më vonë se 48 orë nga ndërprerja e saj. “Funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të veshur me autoritet publik”, tha presidentja Osmani, duke shprehur vullnetin e saj që të mirëpresë në zyrën e saj përfaqësuesit e partive politike, siç thotë, “për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme”.
/DW