Edi Rama ka folur për fitoren e Fredi Belerit në Himarë dhe deklaratat e Athinës zyrtare për arrestimin e tij:

“Sa i përket Himarës, dua të jem shumë i qartë. Dua të respektoj zgjedhjet në Greqi, të përpiqemi sa më shumë vetëpërmbajtje nga ana ime sepse kemi bërë një punë të jashtëzakonshme me qeverinë greke për të ngritur një urë të re bashkëpunimi.

Dua të theksoj se institucionet e drejtësisë mund të kenë problemet e tyre, por askush, që nga unë i pari, jo më pastaj të tjerë, e lërë pastaj nga jashtë Shqipërisë, të vënë në pikëpyetje dhe nën presion rolin e tyre. Dua të kujtoj se dy-tre ditë para regjistrimit të kandidatëve, Prokuroria në bashkëpunim me policinë, kanë arrestuar kreun e bashkisë dhe kandidat me shumë gjasë të PS, në Bulqizë. Por me një çështje dhe akuzë që unë nuk e njoh në thelb se çfarë është.

Besoj se nuk ka asnjë mundësi të pajtohemi se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë me kombësi shqiptare dhe tjetër me ata me kombësi greke. Nuk do flas deri në mbarimin e zgjedhjeve në Greqi, duke shpresuar që më pas do ketë dialog dhe jo deklarata që i kam dëgjuar të bëhen jo vetëm nga përfaqësues të qeverisë, por dhe nga parti simotra, SIRIZA apo PASOK.

Zgjedhjet në Himarë kanë treguar diçka krejt tjetër, janë zhvilluar me qetësi të plotë, është votuar pas asnjë incidente, kanë qenë përfaqësues të trupit diplomatik, gazetarë nga të gjitha mediat shqiptare dhe greke, dhe është bërë një numërim paqësor. Në fund ka fituar me një grusht votash, por nuk ka rëndësi, kandidati kundërshtarë me qeverinë dhe kjo hedh poshtë totalisht çdo lloj argumenti të sforcuar se aty është bërë përpjekje për të marrë me metoda ekstra ligjore dhe elektorale nga ana jonë një fitore e cila s’ka të bëjë fare me masën e dhënë nga gjykata”, tha Rama.