DURRES, 1 qershor 2013 – Plani i ri për sheshin qendror të qytetit të Kavajës, që nis me eliminimin e monumentit të Demokracisë, i premtuar nga lideri i Socialistëve Edi Rama, pak ditë më parë, ka ngjallur reagimin e anëtarëve të shoqatës Antikomuniste “26 Marsi”. Në një deklaratë për mediat kreu i kësaj shoqate Tahir Okshtuni, ka kundërshtuar ashpër premtimin e Ramës të bër nga qyteti i Kavajës, mbi eliminimin e simbolit të Demokracisë. Okshtuni, e ka quajtur kreun e selisë rozë, si një njeri të pacipë, i cili përgojon simbolin që i solli lirinë e dëshiruar të gjithë shqiptarëve, madje edhe vetë Ramës.
Deklarata e Shoqatës Antikomuniste “26 Marsi” Kavajë.
"Ashtu sikurse është është bërë e njohur nga media, para pak ditësh kreu i Socialistëve të Shqipërisë Edi Rama, lendoi Kavajën, bastionin dhe qytetin e demokracisë shqiptare. Me paturpësinë më të madhe ky njeri i pacipë përgojoi atë simbol, që dhe atij vetë i solli lirinë e dëshiruar nga të gjithë shqipëtarët. Nuk ka rrugaçëri më të madhe se të lëshosh atë shprehje idjote, pikerisht në atë truall, që është derdhur gjak. Harron ky politikan i dështuar se e para revoltë popullore, është organizuar pikërisht në këtë shesh dhe në këtë qytet. Harron ky shArlatan se të parët dëshmorë të demokracisë që do të mbeten përjetësisht pishtarë të demokracisë janë kavajasit, Josif Buda, Qazim Karaqi, Idriz Kazazi dhe Zia Shtini. Më e para gjë, që ti dhe shputa jote shpirtzezë që të shoqëroj në këtë mision të zi, do të ishte që të vendosje një buqetë lule në statujat e tyre. Mirë që nuk e kreve këtë detyrim moral, por kush të lejon të tentosh të bësh atë veprim kriminal, që bëri babi jot me martirin Avzi Nelën. Harroje realizimin e përshpirtjeve tuaja apo të ndonjë dëshirave që ti i shpreh në momentet ekstazës nga nuhatja. Do të duhet kohë për të na u qetësuar shpirtërat tanë nga ky lëndim, e jo më të guxosh dhe ti afrohesh atij simboli ku rreh dhe pulson zemra e shpirti ynë. Më shumë do të deshëm të themi por po kafshojmë gjuhën për të mos cënuar dinjitetin dhe personalitetin që karakterizon qytetin tonë. Mos harro dhe diçka tjetër, nëse deri më dje edhe në ekranin e televizorit të shikonim me neveri e me përshtirosje, nga sot nuk do të dëgjojmë dot as emrin. Do të ishte mirë që dhe ti të mos e përmendësh më me gojë Kavajën."
Më herët edhe kryebashkiaku i Kavajës Elvi Roshi, reagoi duke thënë se Berisha sëbashku me të vetët, ka ngritur në qendër të Kavajës një monument, të dy gishtave, simbolikën e të cilave në Shqipëri e ka bërë të vetën prej 23 vitesh. Sipas Roshit ky monument nuk ka një logjikë partizane, por që në fillim nëpëmjet këtij monumenti nga PD-ja është synuar të nënvizohet fakti se Kavaja është e Partisë Demokratike. Ndaj, sipas kryebashkiakut të kavajas, ky monument duhet të hiqet.
Monumenti i Demokracisë
Monumenti i Demokracisë në Kavajë, është simbol i lëvizjes së parë demokratike. Ky momument përbëhet nga dy pllakata gjigante të ngjitura, që duke u lartësuar, vijnë duke u ndarë me njëra-tjetrën, në formën e dy gishtave lart. Ky është busti simbol i demokracisë që u vendos në qendër të Kavajës, në nderim të lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, e cila u zhvillua më 25 dhe 26 mars 1990, në këtë qytet. Revolta e 25 marsit 1990 në stadiumin e Kavajës ka qenë i pari demonstrim publik kundër regjimit komunist, ku gjatë ndeshjes Besa-Partizani, mbarë qyteti u ngrit në këmbë e protestoi fuqishëm me parullat “Poshtë diktatura!”, “Liri-demokraci!”,etj.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





