17 nëntor 2015 – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka reaguar menjëherë pas ankesave të ngritura nga prindërit për ushqimin e refuzuar nga fëmijët e tyre, në çerdhe e kopshte të ndryshme të qytetit të Durrësit, gjatë tri javëve të fundit. Inspektorët e AKU- së janë shprehur se kontrollet janë periodike një herë në 2 muaj në këto institucione dhe në magazinën qendrore, nga ku bëhet shpërndarja e produkteve ushqimore për kuzhinat e 4 çerdheve, 6 kopshteve dhe 2 konvikteve të Durrësit.
Lejla Kërtusha, inspektore e AKU-së Durrës nxitoi të deklaronte se siguria e produkteve që shpërndahen është maksimale, sepse kontrolli nga ana e inspektorëve bëhet një herë në dy muaj.
“Me situatën ne u njohëm nëpërmjet mediave dhe menjëherë një grup inspektorësh u paraqit në magazinën qendrore nga ku bëhet furnizimi. Të gjitha produktet që ndodhen këtu janë brenda afateve të përdorimit, dhe janë me etiketa në gjuhën shqipe për vlerat ushqyese dhe kushtet e ruajtjes së tyre. Edhe mishi kontrollohet nga inspektorët veterinarë të bashkisë për vulën veterinare, treguesit organoleptikë, dhe kushtet e ruajtjes së tij në frigoriferë”, thotë ndër të tjera Kërtusha.
Inspektorja e AKU-së hedh poshtë çdo ankesë të bërë nga prindërit në tri javët e fundit, për cilësinë e ushqimeve, ankesa këto të bëra prezente në Drejtorinë Arsimore dhe në bashkinë e qytetit, nga prindërit. Por Kërtusha e pranon që në rastet kur produktet janë skarco, i kthehen mbrapsht furnizuesit në magazinën qendrore. “Nëse produktet nuk janë brenda parametrave, i kthehen mbrapsht furnizuesit.”
Për ankesat e ardhura nga prindërit e kopshteve e të çerdheve, dolën në një inspektim blic një ditë më parë, drejtori i Arsim-Kulturës në Bashki Ardian Gurra dhe Ana Dovana, përgjegjëse sektori. Ankesat e prindërve kishin ardhur për përzierjen e fasuleve të reja me të vjetra, moszierjen e orizit të mishit, etj. Ankesat e prindërve kanë të bëjnë me cilësinë e ushqimeve dhe jo me etiketat në gjuhën shqipe.
/K.H. portali DurresLajm/