U shkrua nga mediat serbe e ato të vendit, se kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në Nish, në një forum biznesi, ku do të merrnin pjesë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Se do të ketë një forum ekonomik biznesi shqiptaro-serb, e ka konfirmuar edhe vetë Kryeministri Edi Rama për Klan Kosovën.
Ky forum biznesi që do të organizohet në Nish të Serbisë, sipas kryeministrit Rama ka kohë që po planifikohet dhe si pikënisje ka pasur bashkëpunimin për eliminimin e barrierave tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
"Ne jemi takuar si çdo vit tanimë në Samitin e Parisit për Ballkanin Perëndimor, dhe unë kam prezantuar me shumë krenari produktin fillestar të një pune të përbashkët, që e ka pasur zanafillën tek bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës për reduktimin e barrierave tregtare” thotë Rama.
Ai thotë se gjithçka ka nisur pas një bisede me Drejtoreshën Rajonale të Bankës Botërore Ellen Goldstein dhe me kryeministrin Aleksander Vuçiç.
“Duke pare rezultatet shume inkurajuese të këtij bashkëpunimi, kam folur me drejtoren rajonale të Bankës Botërore, Ellen Goldstein, dhe po ashtu me kryeministrin Vuçiç e me të tjerët, për të ndërtuar një plan veprimi për nxitjen e tregtisë e të bashkëpunimit ekonomik në rajon. Kështu kemi bëre! Banka Botërore e ka koordinuar ketë punë përmes zyrave të veta në rajon dhe na ka asistuar me ekspertizën e saj”, deklaroi Rama në një intervistë për Klan Kosova.





