Aktori i njohur Elvis Pupa ka reaguar publikisht pas disa lajmeve që qarkulluan në media, ku pretendohej se ai ishte “në arrati” dhe “në kërkim”. Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Pupa i cilësoi këto informacione si të pavërteta dhe keqdashëse.

“Prej më shumë se një muaji ndodhem në Tiranë, ku po zhvilloj angazhime të rregullta profesionale, të planifikuara në Shqipëri dhe më gjerë në Europë,” shkruan ai, duke e cilësuar situatën si një manipulim të pastër të informacionit dhe një keqinterpretim të qëllimshëm për të krijuar lajm aty ku nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.

Në deklaratën e tij, Pupa është ndalur edhe te bashkëshortja, Belina, për të cilën thotë se vazhdon aktivitetin profesional dhe është plotësisht e lirë. Ai sqaroi se situata që trajtohet aktualisht është pjesë e një procesi ligjor ende në zhvillim, dhe përfundimi i saj i takon drejtësisë.

“Fatkeqësisht, kemi parë një keqpërdorim të rëndë të lajmit, me qëllim sensacionalizimi dhe klikimesh,” shkruan Pupa, duke theksuar se jeta e tij dhe e familjes vazhdon normalisht dhe se do të përballojnë çdo situatë me qetësi, transparencë dhe respekt për të vërtetën.

Në fund të reagimit të tij, Pupa falënderon të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë me mbështetje dhe mirëkuptim.