6 qershor 2015 – Zyra e shtypit e kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliajs reagoi pas një deklarate të PD-së, ku kërkoheshin shpjegime për lidhjen e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës me një person të dyshuar për pastrim parash.
Sipas deklaratës nga zyra e Veliajt, këto akuza PD-ja i ka nga paniku i sondazheve dhe intervista e Dzanashvillit që implikonte drejtpërdrejt Shkëlzen dhe Sali Berishën.
“Paniku nga sondazhet nga njëra anë dhe intervista e Dzanashvillit që implikonte drejtpërdrejt Shkëlzen dhe Sali Berishën nga ana tjetër, nuk janë arsye për të baltosur bashkëshorten e kandidatit për kryebashkiaktë ri të Tiranës, Erion Veliaj. Por, me sa duket dëshpërimi në kampin blu nxit vetëm veprime të dëshpëruara nga ana e PD-së. Prandaj, e vërteta e thjeshtë se Ajola Xoxa nuk ka pasur asnjëherë klient personin në fjalë, nuk e pengon dot PD-në të shfryjë dëshpërim.
Nga viti 2012 deri në vitin 2014 zonja Xoxa ka qenë avokate e asociuar pranë studios ligjore “Tashko Pustina”. Ajo nuk ka pasur asnjë klient të vetin dhe asnjë marrëdhënie financiare me asnjë klient. Zonja Xoxa është paguar nga studio “Tashko Pustina” si të gjithë juristët e tjerë të asociuar me këtë studio. Zonja Xoxa ka ushtruar detyrat e saj profesionale për studion ligjore dhe klientët e studios ku ka qenë vetëm një juriste me rrogë fikse. PD do të ndëshkohet në 21 qershor në Tiranë edhe për këtë arsye, ndërsa balta mbi familjen e Erion Veliajt do të mbetet njollë mbi humbësit e katandisur në shpifës me pagesë dhe pa shpresë”, thuhet në deklaratën e Veliajt.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/