Në një reagim publik, Dritan Burgija thekson se kontributi i tij ndër vite në Partinë Demokratike nuk mund të zhbëhet me një vendim, duke kujtuar angazhimin e tij që nga vitet e para të pluralizmit, në struktura të ndryshme të partisë, deri në funksionet drejtuese në degën e PD Durrës dhe në Këshillin Bashkiak.
“Të nderuar demokratë, miq, shokë, bashkëpunëtorë dhe kolegë, që na ka bashkuar ideali demokratik, mendimi i lirë dhe revolta ndaj padrejtësisë.
Kontributi im personal dhe familjar në Partinë Demokratike, si pasardhës i një shtrese të përndjekur, nuk është çështje fjalësh, por qëndrimi. Ky kontribut nuk matet me deklarata, por me praninë në përballje, me rezistencën ndaj padrejtësisë, me sakrificën dhe me besnikërinë ndaj një kauze që nuk është tradhtuar as në ditët më të vështira.
Ky rrugëtim ka nisur herët, që në rini, kur ishim në vijën e parë përballë diktaturës në grahmat e saj të fundit, dhe ka vijuar pa ndërprerje ndër vite: si anëtar, komisioner, numërues, anëtar kryesie, koordinator në zona të caktuara, nënkryetar, kryetar i PD Durrës, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Këshillit Bashkiak. Kam qenë dhe kam qëndruar aty ku duhej të isha, jo në ditët e lehta, por në momentet e vështira, kur Partia Demokratike kishte nevojë për qëndresë; jo për heshtje, për karakter; jo për servilizëm.
Miq demokratë,
Ne jemi njerëzit e lirisë, të së vërtetës dhe të drejtësisë. Për këto vlera kemi punuar pa kushte dhe për këto vlera u ngritëm në rithemelim. Rithemelimi nuk ishte luks politik, por domosdoshmëri morale dhe historike për të shpëtuar Partinë Demokratike nga zhbërja, kapja dhe deformimi.
Unë jam pjesë e kësaj qëndrese. Kam ngritur zërin, kam folur hapur dhe kam qëndruar krah çdo demokrati të ndershëm për të thënë të vërtetat tona mes nesh, jo për të dëmtuar Partinë Demokratike, por për ta ndrequr atë; jo për ta dobësuar, por për ta kthyer te vlerat, te parimet dhe te dinjiteti i saj. Dhe nuk jam i vetëm në këtë rrugëtim, sepse kjo nuk është beteja e një individi, por e çdo demokrati që refuzon heshtjen, nënshtrimin dhe mashtrimin.
Por pikërisht këtu qëndron edhe problemi! Kjo është vija e kuqe që kanë ngritur kundër nesh çdo kryetar i mbyllur në vetvete dhe çdo servil i pushtetit: të mos flasim, të mos kërkojmë llogari, të mos kërkojmë standarde, të mos kërkojmë garë.
Ndërkohë që ne kërkojmë fitore, ata ofrojnë pazare, kulisa dhe lista të bunkerizuara me akrobaci ligjore.
Ndërkohë që ne kërkojmë hapje, gjithëpërfshirje të kontributeve ndër vite, garë reale, standarde politike, konkurrim të ndershëm, analizë të sinqertë dhe program veprimi; përgjigjja që vjen është shpifja, denigrimi, arroganca dhe në fund përjashtimi. Ky nuk është reagim force, por akt frike. Nuk është vendim politik, por shenjë paniku nga e vërteta.
Kemi të bëjmë me një vendim absurd, arrogant, të pabazë dhe të paburrë, që nuk turpëron ata që u përjashtuan, por ata që e hartuan dhe e firmosën, e që flasin në emër të besës e që vetëm besë nuk kanë. Është një akt jashtë çdo parashikimi statutor, jashtë çdo procedure, pa legjitimitet, pa standard dhe pa dinjitet politik. Një akt qesharak në formë dhe i mjerë në përmbajtje, që zbulon fytyrën e vërtetë të atyre që nuk durojnë mendimin ndryshe, nuk pranojnë garën dhe nuk i besojnë demokratëve.
Ju garantoj se mbetem besnik i demokracisë, qëndrimeve dhe bindjeve të mia, me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi, sepse askush nuk ka as tagrin dhe as të drejtën morale e politike, të fshijë me firmë, kontributin, sakrificën dhe historinë e askujt në Partinë Demokratike.
Dritani”, shkruan Burgija.





