Pas lajmit se Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha u takuan në sallën VIP në aeroportin e Rinasit, ka reaguar Partia Demorkatike duke përgënjeshtruar aludimin e mediave.
Përmes një njoftimi për mediat Partia Demokratike thotë se një takim i tillë nuk ka ndodhur dhe se kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në Shqipëri, që sipas tyre është kryer nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre.
Deklarata e PD-së:
Nuk ka patur asnjë takim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre.
Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët për media me Komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se dora e mazhorancës do vazhdojë të mbetet e shtrirë për opozitën, duke u shprehur se është gati për bashkëpunim pa kushte me PD-në.





