Policia e Durrësit ka dalë me deklaratë zyrtare në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, ku nëpërmjet së cilës pretendohet se një punonjës i bashkisë ka goditur një turiste, në rrugë.

Në njoftim thuhet se shtetasi që shfaqet në video nuk është punonjës i bashkisë dhe as shtetasja e goditur nuk është turiste.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar ditën e djeshme, në portalin “JOQ”, nëpërmjet së cilës pretendohet se një punonjës i Bashkisë ka goditur një turiste, në rrugë, ju sqarojmë se:

Shtetasi që shfaqet në video nuk është punonjës i Bashkisë dhe as shtetasja e goditur nuk është turiste.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh kryen veprimet hetimore dhe procedurale të nevojshme, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasit që shfaqet në video.

Në përfundim të këtyre veprimeve dhe pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. B., 35 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast të tillë, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.