Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, i kërkon prokurorisë të nisë hetime kryesisht lidhur me video përgjimin e publikuar nga PD ku sipas demokratëve, vërteton se vëllai i Fatmir Xhafës, Agron Xhafaj është i përfshirë në trafik droge.
"PD pretendon se materiali audio është autentik, nëse kemi të bëjmë me një material të tillë atëherë Agron Xhafa është i implikuar. Por a është material autentik, provë apo inskenim i radhës në përpjekje për të baltosur këdo që u del përpara me qëllim bllokimin e çeljes së negociatave dhe për të bllokuar drejtësinë e re?
Kësaj pyetjeje mund t'i japë përgjigje vetëm prokuroria.
Prokuroria nuk duhet t'ia lërë çështjen akuzatorëve por të nisë hetimet kryesisht. Për ne askush nuk është më mbi ligjin. Prokuroria të mos humbë asnjë minutë. Ne presim të mësojmë të vërtetën. Ose të ndëshkohet i akuzuari ose akuzuesit nëse janë regjisorë të kësaj shfaqjeje me zë, por pa figurë", tha Balla në reagimin publik pas provave dhe audio-përgjimit që publikoi sot Partia Demokratike.





