Kryeministria ka reaguar sot në lidhje me lajmin e bujshëm që qarkulloi dje në mediet amerikane dhe shqiptare, mbi foton e kryeministrit Rama me Presidentin amerikan Barack Obama dhe faktin se një shtetas shqiptar në SHBA po gjykohet mbi financimin e fushatës elektorale të kandidatit.

Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga Drejtoria e Komunikimit në Kryeministri, kjo foto po përdoret qëllimisht për propagandë, ndërsa theksohet se në mënyrë kategorike, nuk ka pasur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama.

Ndër të tjera, në sqarimin e Kryeministrisë, thuhet se Rama as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Kjo, pasi ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdo lloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara.

Reagimi i plotë:

“Duke shprehur keqardhjen për manipulimin mediatik dhe propagandën e baltës lidhur me një foto të vitit 2012 me Presidentin Obama, Kryeministri Edi Rama, sqaron se ai as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdo lloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara.

Bilal Shehu që sot po gjykohet në SHBA për çështjen në fjalë është pjesëtar i komunitetit shqiptar në New York dhe është takuar me delegacionin tonë në  SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka pasur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama. 

Ndërkohë që duke përfituar edhe nga ky rast, kryeministri i bën thirrje edhe njëherë Lulzim Bashës të fokusohet te reforma ne drejtësi dhe respektin e tij për drejtësinë në Shtetet e Bashkuara, ta tregojë duke mbështetur projektin kushtetues të Reformës në Drejtësi që është hartuar me kontributin e çmuar të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. 

Edi Rama nuk ka frikë nga drejtësia, nuk ka frikë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të drejtësisë, nuk ka frikë nga pavarësia e anëtarëve që do të bëjnë vetingun e gjykatësve e prokurorëve, po Lulzim Basha me Sali Berishën pse i tremben faktit që ata që do të gjykojnë prokurorët dhe gjykatësit, do të përzgjidhen nga SHBA e BE?! 

Është koha e të vërtetës për krimet, akuzat, gënjeshtrat dhe të vërtetën mund ta thotë vetëm një drejtësi e çliruar nga kthetrat e vendeve të rezervuara të partive në sistem.

Edi Rama dhe shumica janë gati të heqin duart e partive nga sistemi, po Lulzimi, Saliu dhe Partia Demokratike pse nuk janë gati?!”