Klodiana Shala u vu në shënjestër të deputetit socialist Fidel Ylli, të hënën në mbrëmje në emisionin “Procesi Sportiv”. Ish-drejtoresha e Agjencisë së Sporteve deri në 2013-n, u akuzua nga Ylli si përfituese e 520 milionë lekëve për ndërtimin e dy palestrave poshtë stadiumit “Qemal Stafa”, në një kohë që dihej se impianti kombëtar do të prishej. Por, ajo ka vendosur t’i përgjigjet akuzave të Yllit duke e sfiduar.
Në një reagim për “Panorama Sport”, Shala tha që Ylli le të nxjerrë faktet, nëse i ka, në lidhje me akuzën.
“Nuk e di çfarë ka ngatërruar ai, pasi nuk e kam ndjekur emisionin. Ne si Agjenci e Sportit kemi qëndruar vetëm një muaj te stadiumi “Qemal Stafa” dhe më pas kemi kaluar te kompleksi “Dinamo” për tri vite. Nëse ka fakte, le t’i nxjerrë. Po t’i ketë firmosur Fideli, nuk e di unë përse e ka fjalën.
Destinacioni ynë ka qenë kompleksi “Dinamo”. Unë kam bërë projektin dhe për atë kompleks që po bëhet aty iniciativa është e imja. Këtë mund të thotë ai. Këtë projekt të kompleksit sportiv që po ndërtohet tani te “Dinamo” e kam bërë unë dhe po e konkretizojnë këta. Nëse e ka fjalën për këtë projekt dhe unë kam bërë gabim që e kam realizuar këtë, nuk di çfarë të them. Për sa u përket akuzave në lidhje me palestrat në stadiumin “Qemal Stafa”, le t’i nxjerrë faktet”, u shpreh Klodiana Shala.
Deputeti i vuri dhe epitetin “topmodele” atletes së njohur, të cilën ajo thotë se e merr si kompliment.
“Besoj se e ka pasur për kompliment atë. Nëse do ta kishte ndryshe, mund të ma thoshte ballë për ballë, pasi i kam qejf këto takimet. Unë jam femër me fustan, por jam burrneshë”.