Urdhëri i mjekut Durrës ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të mjekut të njohur otorinolaringolog, Dr. Anastas Qerimi, i njohur me dashuri nga qytetarët e Durrësit si Dr. Caci. Ai u shua në moshën 80-vjeçare, më 21 tetor 2025.
” Dr. Anastas Qerimi (03.07.1945 – 21.10.2025)
Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Dr. Anastas Qerimit – mjekut të nderuar otorinolaringolog, të njohur me dashuri e respekt nga të gjithë si Dr. Caci.
Lindur në Durrës, Dr. Caci, iu përkushtua me pasion dhe profesionalizëm misionit fisnik të mjekut. U diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1969 si mjek i përgjithshëm, duke nisur menjëherë punën në qendrën shëndetësore të Shkozetit (1969–1970).
I frymëzuar nga dashuria për shkencën dhe njeriun, kreu specializimin në Otorinolaringologji, duke u bërë një nga emrat më të respektuar të kësaj fushe.
Në vitet 1973–1978 shërbeu si drejtor dhe mjek ORL në spitalin e Ishmit, ndërsa më pas, nga 1978 deri në 1982, dha kontributin e tij të çmuar si mjek kirurg ORL në spitalin e Durrësit.
Në periudhën 1982–1986, ai vazhdoi punën e palodhur në Spitalin e Kavajës, për t’u rikthyer më pas në Spitalin dhe Poliklinikën Qendrore të Durrësit, ku shërbeu me përkushtim deri në daljen në pension.
Dr. Anastas Qerimi do të kujtohet gjithmonë si një mjek i përkushtuar, njeri i urtë, i dashur dhe i respektuar nga pacientët dhe kolegët e tij.
Ai la pas një trashëgimi profesionale e njerëzore të vyer, që do të mbetet e gjallë në kujtimet e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
Me buzëqeshjen e tij të qetë dhe fjalën e mirë, Dr. Caci do të kujtohet gjithmonë si figurë e dashur e qytetit të Durrësit.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të tij.
U prehtë në paqe!
I paharruar qoftë kujtimi i tij! “





