Eden Hazard te Reali i Madridit. Është çështje ditësh, por gazeta “L’Equipe” e ka veshur belgun me fanellën e skuadrës “galaktike”. Palët duket se kanë arritur marrëveshjen dhe zyrtarizimi do të bëhet pas finales së Ligës së Europës më 29 maj, kur Hazard dhe Çelsi i tij do të luajnë kundër Arsenalit. Ajo do të jetë ndeshja e tij e fundit me fanellën e bluve të Londrës.

Gazeta franceze tregon edhe shifrat e këtij operacioni, akordi i të cilit duket se është arritur prej kohësh. Çelsi do të arkëtojë 100 milionë euro nga shitja e tij dhe vetë Hazard do të bëhet një nga lojtarët më të paguar të Realit të Madridit. Ai ka folur ditën e djeshme për të ardhmen, por nuk ka dashur ta tregojë. Megjithëse nga fjalët kuptohet se do të largohet.

“Vendimin e kam marrë prej kohësh, por nuk do ta tregoj. Kam 2 javë që ia kam thënë klubit atë që dua. Vendimi është i sigurt”, ka thënë Hazard. Edhe Mauricio Sarri duket se e di këtë gjë dhe thotë se të gjithë duhet ta respektojnë vendimin e belgut.

“Nuk e di nëse është ndeshja e fundit në finale, por ne duhet ta respektojmë vendimin e tij”, thotë trajneri italian. Përveç finales së Ligës së Europës, Çelsi do të luajë edhe një ndeshje bamirësie në Amerikë, por nuk dihet nëse Hazard do të luajë.Nuk do të ndalet me kaq Reali i Madridit, pasi në të ardhmen priten të tjera afrime. Në mesfushë ëndrra e madhe mban emrin Pol Pogba, i cili është krisur me tifozët e Junajtid dhe mund të largohet në merkaton e verës. Shumë afër duket edhe transferimi i sulmuesit të Frankfurtit Luka Joviç, që shihet si pasardhësi ideal për Benzemanë.

Në fakt, ky i fundit është në formë të mirë dhe mund të jetë sërish titullari i Realit për sezonin e ardhshëm. Në mbrojtje tashmë është siguruar blerja e Militaos nga Porto dhe klubi madrilen do të ketë një formacion yjesh për sezonin e ardhshëm.