Reali i Madridit është kampioni i ri i Spanjës duke u rikthyer te suksesi pas 5 vitesh. Kryeqytetasit triumfuan në ndeshjen e javës së fundit të La Ligës me rezultatin 0-2 në transfertë kundër Malagës dhe rrëmbyen kurorën për herë të 33-të në historinë e tyre. Ronaldo në minutën e 2-të dhe Benzema në minutën e 55-të ishin autorët e golave.

Me këtë triumf Reali shkurorëzoi rivalët e përjetshëm të Barcelonës dhe tashmë vëmendja totale e të besuarve të Zinedin Zidanit kalon te përballja e 3 qershorit në Kardif ku do të luajnë finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Juventusit. “Galaktikët” synojnë të bëhen ekipi i parë që arrin të mbrojë titullin e Kampionit të Europës, që kur është futur në zbatim formati aktual i Ligës së Kampioneve.