Përçarje! Është kjo fjala me të cilën e përditshmja spanjolle “Marca” e përshkruan situatën aktuale te Reali i Madridit. “Humbja me Selta Vigon rrit distancën mes Murinjos dhe futbollistëve”, shkruan më tej ai.
Në një dyfaqësh të titulluar “Probleme në familje”, gazeta madrilene, shumë pranë klubit, analizon arsyet e dështimit të Realit. “Mesazhi i trajnerit nuk është më aq i rëndësishëm, futbollistët janë të lodhur që tekniku u kërkon përherë “forcë” në fushë, disa prej tyre diskutojnë zgjedhjet taktike të Murinjos, ndërkohë që ky i fundit ndjehet i tradhtuar nga informacionet e rrjedhura në shtyp, – analizon “Marca”. – Mou duket gjithnjë e më larg futbollistëve, duke e bërë aktuale idenë e të larguarit në fund të sezonit”.
Kriza e Realit është analizuar edhe në gazetën “El Pais”, pasi skuadra e Murinjos pësoi humbjen e gjashtë në të gjitha kompeticionet këtë sezon. Gjatë gjithë sezonit të shkuar, Murinjo pësoi vetëm 5 humbje, ndërsa asnjëherë më parë në karrierën e portugezit, një skuadër nuk kishte humbur 6 herë para Krishtlindjeve.
Me Barçën që ndodhet e shkëputur me 11 pikë dhe me kampionatin që tashmë është një utopi për t’u fituar, Realit i duhet patjetër të përmbysë humbjen në Vigo dhe më pas të mendojë për fitimin e Kupës dhe të Champions League.
Pra, sezoni ka ende kohë të mbyllet në mënyrë triumfale. “Por, lojtarët janë të xhindosur, – shkruan El Pais. – Prej muajsh Murinjo i provokon, duke kërkuar ë rebelohen publikisht”. I vetmi që ende i beson portugezit është presidenti Florentino Perez.