Tre nga katër djemtë e Zidane, që luajnë futboll, janë përjashtuar nga planet e Real Madrid përkohësisht, ndërsa klubi është ndëshkuar nga FIFA për parregullsitë e verifikuara në transferimet e lojtarëve nën moshë. Luca, Theo dhe Elyaz Zidane aktualisht aktivizohen në ekipet e moshave dhe duke parë se janë lojtarë U 18 kanë përfunduar në qendër të vëmendjes pas vendimit të organizatës që drejton futbollin botëror. 

Real dhe kushërinjtë e tyre të Atletico-s janë ndaluar të bëjnë merkato në dy sesionet e ardhshme dhe, pavarësisht se emrat e tyre nuk janë përmendur nga shtypi, dy nga djemtë e Zidane kanë qenë pjesë e hetimeve të bëra nga FIFA. Real ka kërkuar konfirmim nga FIFA nëse tre djemtë e rinj të Zidane mund të luanin gjatë fundjavës, por duke mos marrë asnjë përgjigje, ka vendosur të mos rrezikojë duke i mbajtur lojtarët larg fushës.  

Djali më i madh, Enzo, i cili është 20 vjeç, ka luajtur me ekipin e dytë të Real-it, por ai është i vetmi nga djemtë e Zidane që do të aktivizohet rregullisht ndërkohë që vendimi i FIFA-s do të analizohet. Real ka bërë të ditur se nuk është dakord me vendimin, veçanërisht për sa i takon fëmijëve të trajnerit francez.

Klubi ka sqaruar se të katër djemtë e tij janë bërë pjesë e akademisë në momentin kur babai i tyre është punësuar në kryeqytetin spanjoll: Enzo dhe Luca janë marrë në 2004-ën, kur Zidane ishte një lojtar i “Los Blancos”, ndërsa Theo dhe Elyaz e kanë filluar aventurën e tyre me madrilenët pasi është bërë trajner.