Kompania ajrore australiane “Qantas” ka realizuar me sukses testin e fluturimit më të gjatë pa bërë asnjë ndalesë tranzit. Udhëtimi nga New York në Sidney, një distancë prej 16.200 km, u realizua për 19 orë e 16 minuta. Në bordin e aeroplanit model Boeing 787-9 ishin 49 persona.
Muajin tjetër, kompania planifikon që të kryejë fluturimin tjetër pa ndalesë nga Londra në Sidney. Nëse gjithçka shkon sipas pritshmërive, kjo kompani do të nisë fluturimet e rregullta për këto linja në vitin 2022 ose 2023. Asnjë aeroplan pasagjerësh nuk mund të kryejë një fluturim kaq të gjatë pa ndalesë, me ngarkesë të plotë pasagjerësh dhe bagazhesh, raporton Reuters.
Në fluturimin e parë testues të kompanisë australiane “Qantas”, aeroplani ishte furnizuar plotësisht me karburant dhe kishte një ngarkesë të kufizuar të bagazheve.
Përpos testimit të fluturimit pa asnjë ndalesë, ekspertët monitoruan edhe gjendjen e pilotëve në një udhëtim kaq të gjatë. Jo vetëm kaq, por u studiua edhe sjellja e pasagjerëve dhe si reaguan trupat e tyre pas kalimit në zona të ndryshme kohore.
Aktualisht, fluturimi më i gjatë dhe me linjë të rregullt në botë kryhet nga “Singapore Airlines”, me një udhëtim gati 19 orë nga Singapori në New York.





