Durrës, 7 maj 2014 – Gazetari i famshëm C.J. Chivers (kujtoni artikullin e tij për Devirolin dhe tragjedinë e Gërdecit) në një shkrim të tij të datës 6 maj në NYT (Me zgjedhjet në Ukrainë në prag, fuqitë perëndimore dhe Rusia luftojnë për influencë) përmend një fakt të rëndë.

SBU (Shërbimi Sekret Ukrainas) ka kapur një sasi prej 1,5 kg uranium tip U 138 (izotopi) kontrabandë dhe ka arrestuar 9 persona, 8 ukrainas dhe një rus, si dhe ka sekuestruar një kamion. SBU deklaron se uranium vinte kontrabandë nga Republika Ruse e Transdniestrit (ne foton poshte pjese nga komunikata e Ministrisë së Brendshme Ukrainase për këtë çështje) dhe me shumë mundësi do të përdorej nga rebelët në Ukrainën juglindore për të ndërtuar një bombë atomike të pisët (Dirty Bomb).

Ky fakt u raportua edhe në gazetën ukrainase “Ukrainskaja Pravda”, si edhe në gazetën “Kyiv Post”. Në të njëjtën kohë lajmi u botua edhe nga “Think Tank-u” prestigjoz për gjeopolitikën dhe sigurinë “Foreign Policy Research Institute”. Theksojmë se ka javë që gazetari Chivers është në terren aty ku po zhvillohen luftime të ashpra si psh. në qytetin e Slovyanskut, atë të Donetskut dhe në aeroportin ushtarak të Krematorsgut.

Vetëm fakti, që ka koka të nxehta ruse , që janë të gatshme të përdorin edhe armët bërthamore qoftë edhe rudimentare e artizanale si psh. bombën e pistë është një tregues i përshkallëzimit alarmant të situatës në Ukrainë. Në këtë kuadër mbetet vetëm të lusim zotin, që gjeneral Lleshi t’i ketë dhënë Kryeministrit Rama këshillat e duhura dhe që Gjeneral Bazo të ketë marrë masat e nevojshme në ushtrinë shqiptare si vend anëtar i NATO-s dhe vend i mundshëm për t’u përfshirë në konfrontim me ariun rus të sapo zgjuar nga gjumi letargjik.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/