TIRANE, 20 shkurt 2013 – Në një intervistë që “Gazeta Shqiptare” ka zhvilluar me recepsionisitin e motelit, ku dy ditë më parë u gjet i vdekur një 45 vjeçar që kishte konsumuar Viagra, Ardit Bizdari rrëfen momentet kur e gjeti të vdekur klientin, të shtrirë në dysheme. Sipas Bizdarit, Gjikolaj shoqërohej me një femër rreth të 40-ve, e cila është larguar në fshehtësi nga moteli pas vdekjes së tij. Sipas policisë, dyshohet se 45-vjeçari ka marrë stimulantë për kryerjen e aktit seksual, por efekti i tyre duket se ka qenë arsyeja e vdekjes së tij. 

Sa ka qenë ora kur ndodhi ngjarja? 
Ka qenë ora 16:30 minuta, kur 45-vjeçari erdhi në motel bashkë me një femër rreth të 40-ve. Dukej njeri i thjeshtë, pagoi dhe kërkoi dhomën 204, e cila është dhoma më e mirë që kemi dhe e mbajmë për njerëz me peshë. I thashë që ajo dhomë është e zënë dhe mori një dhomë tjetër. Pasi kaluan dy orë, i them pastrueses që të shkonte të shihte, sepse kishte mbaruar afati kohor për të cilën ai kishte paguar. Pastruesja vjen pak minuta më vonë dhe më thotë që ai ishte shtrirë në tokë. 

Si vepruat më tej? 
U ngjita dhe pashë burrin të shtrirë në dysheme, u afrova dhe u mundova që t'i jepja ndihmën e parë, por ishte shumë vonë. I hodha edhe ujë, por ai kishte kohë që kishte vdekur.