Ndërsa kanë kaluar orë nga regjistrimi i ngjarjes së rëndë në Durrës, ku pranë Urës së Dajlanit 32-vjeçarja Luljeta Preza u gjet e vrarë, zona vijon të jetë dëshmi e “strehës” së punonjseve të seksit, të cilat e frekuentojnë atë çdo mbrëmje, por jo vetëm.

Reçipeta, shapka e të tjera sende personale gjenden në tokë, aty ku gjatë mesditës policia kishte vendosur perimetrin e sigurisë, teksa kryente matjet pranë trupit të pajetë të 32-vjeçares, anëtare të komunitetit rom dhe banuese në Sukth.

Ndonëse kushdo që ka shkelur në Durrës, e di se çfarë ndodh e kë gjen përgjatë urës nga pasditja deri në orët e vona të mbrëmjes, kjo duket se nuk e ka shqetësuar Policinë e Qarkut, e cila vijon të lejojë këtë aktivitet të jashtëligjshëm, e që me gjasë në këtë rast i mori jetën një gruaje.

Duke marrë parasysh vendin ku është gjetur trupi, lidhjen e viktimës me vajza të tjera që ushtrojnë profesionin e punonjseve të seksit përkundrejt pagesës, dhe faktin se u gjet e zhveshur, dyshimet të çojnë në një drejtim: Viktima prostituohej dhe vrasjen mund ta ketë kryer ndonjë klient, vajza të tjera që frekuentojnë këtë zonë, ose tutori i tyre (nëse e kanë një të tillë).

Gjithsesi, në secilin rast, ngjarja mund të ishte parandaluar, nëse policia e Durrësit do t’i kushtonte vëmendje kësaj “pike qorre” dhe të rrezikshme të qytetit, e cila ndodhet në hyrje të zonës turistike të plazhit, ku zbarkojnë me qindra (për të mos thënë mijëra) turistë çdo ditë dhe që njihet për “namin” që ka.

Lexo detajet për ngjarjen: