17 nëntor 2015 – Shumë prej përdoruesve të Facebook-ut në mbarë botën, u solidarizuan me popullin francez duke ndryshuar foton e profilit të tyre, duke e “veshur” atë me ngjyrat e flamurit francez.
Por një parisiene jo vetëm që nuk e bëri këtë veprim, por madje e cilësoi si të gabuar. Charlotte Farhan refuzoi të ndryshonte foton e profilit të saj, për të vendosur ngjyrat blu, të bardhë dhe të kuq, në nder të 129 viktimave që humbën jetën në Paris, duke shpjeguar se nëse ajo do e bënte këtë veprim këtë radhë, atëherë ajo duhet ta bënte sa herë që një sulm do të ndodhte në botë. Për këtë do t’i duhej të ndryshonte foton e profilit ndoshta dhe disa herë në ditë.
Farhan është redaktore e revistës online “Art Saves Lives International”. Statusi i saj në Facebook është pëlqyer dhe është shpërndarë me mijëra herë.
“Nuk do ta ndryshoj foton e profilit me flamurin francez, edhe pse jam franceze dhe nga Parisi.
Arsyeja për këtë është se nëse do ta bëja një gjë të tillë vetëm për Parisin do të ishte gabim. Nëse do ta bëja për çdo sulm në botë, do më duhet të ndërroja foton çdo ditë, disa herë në ditë.
Zemra ime është me botën, pa kufij, pa hierarki. Unë e dua jetën me vlera të çdo njeriu që sulmohet nga ekstremistët fetarë, pavarësisht nëse janë të bazuar në besim, paragjykim apo përfitim.
Mos u bëni pjesë e “ne dhe ata” që luftënxitësit duan.”
/S.L. portali DurresLajm/