Nga Gladiola  Busulla

DURRËS, 3 tetor 2014   – PROFIL  QYTETAR:  Redi Myshketa “Qytetar i Durrësit tim, anëtari më i thjeshtë i komunitetit tonë të pasur, mjeshtri më i përulur i gurpunimit krijues, gatuesi më i devotshëm i dijes gjalluese, familjar i përgjegjshëm i familjes sonë të madhe durrsake”.

Biografi e shkurtër

Redi Myshketa është lektor me kohë të plotë pranë Fakultetit të Biznesit, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, nga shtatori i vitit 2006. Gjatë kësaj kohe ka lektoruar një sërë lëndësh të fushave ekonomike. Ai ka kontribuar në përgatitjen e të rinjve shqiptar si lektor me kohë të pjesshme pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë Privat.

  • Gjatë periudhës janar 2008 – qershor 2008 Redi Myshketa ka punuar si Dekan i emëruar i Fakultetit të Ekonomisë dhe Administrimit, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës.
  • Nga korriku 2008 deri në Shkurt 2012 mbante funksionin e Kryetarit të Këshillit të Administrimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.
  • Nga tetori 2010 deri në ditët e sotme, është përgjegjës  i Departamentin e Menaxhimit, pranë Fakultetit të Biznesit, të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.
  • Nga maji 2012 deri në ditët e sotme, mban pozicionin e Zëvendës Dekanit Mësimor, pranë Fakultetit të Biznesit, të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.

 

Gjithmonë  përpara  një  laptopi, i qetë dhe zëulur, i mbarsur me shqetësimin e fateve tona të vogla; duke reflektuar kulturë e qytetari. Kështu na projektohet çdo ditë, pedagogu durrsak Redi Myshketa.         

 

Ku jeni shkolluar Redi?

 Deri në vitin 1994 në qytetin e lindjes, pra në Durrës. Ndonëse nxënës në ish-shkollën "Dalip Tabaku" apo "Jusuf Puka" sot, kam qenë pjesë e orkestrinës (si fizarmonist) i liceut "Jan Kukuzeli". Duke qenë se jam pjesë e një familjeje muzikantësh nuk mund të mos induktohesha dhe unë nga dëshira për të përvetësuar një instrument muzikor.

– Në  familjen Myshketa, të gjithë lindin me vesh muzikor apo jo ? 

(Qesh) Dashuria dhe të mirat e shpirtit muzikor nuk mund të mos ishin pjesë e ADN-së së familjes Myshketa. Për kuriozitet, në vitin ’90 kam qenë instrumentisti më i vogël që firmoste në borderonë e orkestrave të qytetit.

– Ç’ është dashuria për Redin?

 Frymëzimi im më i madh. Dashuria si koncept abstrakt, si nocion i përgjithshëm; dashuria është për femrën, qytetin, nënën, fëmijën, dijen etj.

–  A keni shkruar ndonjëherë vargje?

Po  ju përgjigjem me disa vargje:

                                             Qyteti im ende fle!

Zëra të ngjirur, buzëqeshje të venitura, eko togfjalësh;

një lafshëkuq deti vrapon hutimthi, larg tehut të mprehtë katarsik;

makinat, në varg mortor, parakalojnë kafeneve;
stërlodhja dremit, në pizhama;

Qyteti im, zgjohu!

Mirëmëngjes!

 ****

Nënave

Dëshiroj, përulesisht, t'ju kërkoj të na mësoni; 
Si Shpirtit t’i drejtohemi për më tepër Fisnikëri;
Si Mendjes t’i themi: Ndalu!

E të gjejmë Urtësi;
Si Lotëve t’u japim rrugë, e kjo të jetë Magji;
Nga Krahët e Tu të mosvidhem, e të Ndihem, sërish, Fëmijë!

***** 

Dhe vjen… dita e takimit me Ty

 Në pritje koha më plugoi, shi i perkorë lëvozhgat m’i ndërroi;

Rini e dikurshme seç u mplak, u lodh,

në këmbë më s'qëndroi.
E morën trupin tim, e dëm s’e çuan.

 I falenderoj!

Lapsa bënë prej tij,

prej gjakut bojë bënë!

Që sot  në letër

të mund të shkruash Ti.

*****

–  Të përgëzoj! Shoh me kënaqësi, se pas petkut të pedagogut fshihet instrumentisti dhe poeti. A keni dikë që ju frymëzon veçanërisht. Thënë më saktë: a ka Redi një rol model?

 Rol model për mua ka qenë babai im Shpëtimi. Ai më bëri të kuptoj që vetëm përmes punës mund të bëhesh njeri më i mirë, vetëm me punë mund të krijosh vlera dhe vetëm këto vlera do të jenë feedback-u i ekzistencës sate.

–   Po miqësia ç’rol luan në jetën tuaj?

Është një burim energjie për të krijuar dhe ndarë vlera; është obelisk mendimi, shprese, dashurie.

– Në vitin 1994 shkëputemi fizikisht nga Durrësi dhe Shqipëria. Përse vendosët të studionit në Hungari?

 Ndodhesha përpara tri alternativave: 1) Shqipëria (vendlindja ime); 2) Jordania (Lindja e Mesme); 3) Hungaria (Perëndimi i Lindjes). I gjithë informacioni i përftuar, ngacmimet dhe kushtëzimet asokohe (pamundësia për të prekur akademikisht Perëndimin) më shtynë të përzgjedh Hungarinë.

– Ç’shije ju ka lënë Hungaria?

Hungaria ka qenë për mua më shumë se një diplomë universitare në ekonomi. Ajo përmbushi motivet e të shkuarit aty. Arsyeja ishte të prekja një realitet ndryshe nga ai shqiptar i cili ngjizi përqasje të reja mbi botën, njerëzit, vlerat, të punuarit dhe të hulumtuarit, e ndoshta më kryesorja të menduarit e të ndjerit.

– Keni pasur qasje ndaj artit, letërsisë e kulturës hungareze?

Në Hungari kam kaluar pjesën e rinisë së vetëdijshme, jo pak, por 12 vite. I hapur, i etur për muzikën e kultivuar, (mund të përmend këtu Barthot, Liszt); për pikturën e tyre (Mokacsi), për letërsinë (Kosztolanyi, Petofi). Dhe sakaq në Hungari isha pjesë e Olimpiadave shkencore, në nivel universitar dhe kombëtar.

– Jeni vlerësuar?

Po, madje me çmime kombëtare. Ministria e Arsimit në Hungari më ka dhënë “Çmimin e veçuar”, një vlerësim shumë i rëndësishëm atje.

Po studimet tuaja ndërkohë?

 Në 2002 vijova studimet në postmaster në Hungari dhe njëherazi zgjerova fushën studimore në shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, pranë Universitetit të Padovas në Itali. Sot e kësaj dite vazhdoj të jem student dhe “nga shtrati i vdekjes” e shoh ende veten student”.

– Ç’ju shtyu të ktheheshit në Shqipëri pas 12 vitesh, tashmë me një formim kryekëput perëndimor dhe me shanse të barabarta me një qytetar të atjeshëm?

 Kam bindjen që rrugëtimi jetësor i çdo njeriu që në ngjizje vishet me atë që ne e përkufizojmë si misioni i tij në jetë. Kjo është forca prej së brendshmi që motivon çdo gjallesë pro veprimit. Nxit krijimin e vizionit të tij për jetën, vendin dhe vlerat. Misioni im do të përmbushej vetëm falë jetësimit të këtij vizioni: “Qytetar i Durrësit tim, anëtari më i thjeshtë i komunitetit tonë të pasur, mjeshtri më i përulur i gurpunimit krijues, gatuesi më i devotshëm i dijes gjalluese, familjar i përgjegjshëm i familjes sonë të madhe durrsake”.Me këtë vizion nuk mundesha më të qëndroja larg vendit tim dhe njerëzve të mi.

–  Shumëkush ju konsideron si një ndër ndërtuesit më aktivë të tempullit të dijes në qytetin tonë. Duhet të ndiheni krenar për këtë.

Më gëzojnë këto fjalë që dëgjoj nëpërmjet jush, pasi më japin forcë dhe motivim për të vazhduar në këtë rrugëtim, modestisht, në përputhje me misionin dhe vizionin tim.

– A ia vlente kthimi në Shqipëri për Redin?

Ndiej se fatet e njerëzve, gjithnjë e më tepër po lidhen me fatin tim; dyzimet më konvergojnë në qëndrimin e madh: pro zhvillimit të qëndrueshëm të Durrësit të vlerave, Durrësit të kulturës, Durrësit të familjeve.

– Redi, jetët tona janë shumë të ndjeshme ndaj politikës. Nisur dhe nga formimi juaj akademik, sa ju afekton realisht politika?

 Përtej të gjitha palëve. E quaj veten një ngjizje fatlume; nga linja e babait të persekutuar, kurse nga linja e nënës partizanë dhe komunistë në bindje. Unë i shoh njerëzit pa ngjya politike, me hallet, dhembjet, vështirësitë, besimet, me vogëlsinë e të patunit, që duke u fokusuar tek të patunit shkatërrojnë madhështinë e të qenunit. Fjala politikë e ka prejardhjen nga greqishtja e vjetër (polis-qytet); atëherë nga kjo rrjedh se të qenit qytetar kupton ndjeshmëri të lartë ndaj qytetit, ku fatet e tij artikulohen në politika. Për mua i pari i një qyteti është njëherazi kryefamiljari i tij, me ndjesitë më të thella dhe përkushtimin maksimal ndaj fatit të çdo anëtari, qytetari.

– Do të dëshironit të ndanit dhe diçka të fundit me lexuesin e Portalit “Dyrrah”?

Më lejoni të ndaj edhe me ju vizionin tim, për qytetin tonë, të shprehur njëkohësisht dhe autoriteteve durrsake:

“Durrësi, ëndërr e evropianëve, ku vlerat e antikitetit ftojnë pro zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të tij”.

/Agjencia e Lajmeve Dyrrah/