TIRANE, 1 korrik 2013 – Në ditën e dytë të qëndrimit në Kroaci, Presidenti i Republikës Bujar Nishani u takua me Zv.ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Ambasadorin Philip Reeker.
Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca thuhet se Ambasadori Reeker shprehu urimet për zgjedhjet e 23 qershorit, të cilat i vlerësoi si më të mirat të zhvilluara në Shqipëri.
Presidenti Nishani, pasi vlerësoi procesin zgjedhor, në tërësi në përputhje me standardet europiane, shtoi se zgjedhjet dhe tranzicioni i pushtetit po dëshmojnë pjekurinë e popullit dhe klasës politike shqiptare dhe të demokracisë në vend.
Presidenti Nishani ndodhet në Kroaci me ftesën e autoriteteve vendase për të marrë pjesë në ceremonitë e hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Europian.





