LUSHNJE, 13 prill 2013- Një 86-vjeçar nga Lushnja është gjetur i vdekur në ambientet e brendshme të xhamisë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit dhe Komisariati i Lushnjës, bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në xhaminë e fshatit Dushk të këtij rrethi. Mësohet se besimtari Shemsi Muça u gjet i pajetë mes një pellgu gjaku. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu, të cilat pas këqyrjes së kufomës pohuan se viktima kishte një prerje në fyt dhe se pranë tij është gjetur dhe një thikë. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, hetuesit e çështjes u shprehën se dyshohet që 86-vjeçari të jetë vetëvrarë, por nuk përjashtohet as një krim i mundshëm. Ndërkohë që pjesëtarë të familjes Muça deklaruan se dyshojnë që 86-vjeçari të jetë vrarë. 

NGJARJA 

Rreth orës 18:30, besimtarë myslimanë nga fshati Dushk kanë shkuar si zakonisht në xhami për të bërë ritin e faljes. Ata janë tronditur kur kanë parë shtrirë mes një pellgu gjaku bashkëfshatarin e tyre, Shemsi Muça. Besimtarët kanë shpejtuar që t’i vijnë në ndihmë, por kanë konstatuar se 86-vjeçari kishte ndërruar jetë. Menjëherë besimtarët myslimanë kanë njoftuar imamin e xhamisë, dhe më pas policinë. Forca të shumta policore kanë mbërritur në xhaminë e fshatit Dushk dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Burime pranë grupit hetimor sqaruan se i moshuari ka humbur jetën nga një prerje me thikë në fyt. Pranë trupit të pajetë është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe arma e ftohtë e krimit. Nisur nga fakti se thika është gjetur pranë kufomës, ekspertët dyshojnë se 86-vjeçari Shemsi Muça është vetëvrarë. Por pista e vetëvrasjes, për më tepër brenda xhamisë, ngjan e pabesueshme dhe e papranueshme për një besimtar mysliman. Për të zbardhur misterin e ngjarjes, janë thirrur ekspertë nga Tirana. “Ne dyshojmë për vetëvrasje. Megjithatë, do të jenë ekspertët nga Tirana, ata që pas ekspertizës do të dalin me një konkluzion të saktë, nëse është vetëvrasje apo vrasje”, thanë burimet nga policia e Lushnjës. Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje familjarë të viktimës, dhe besimtarë që shkonin në xhami. Banorë të fshatit Dushk kanë deklaruar në polici se Shemsi Muça ka qenë një besimtar i rregullt i fesë myslimane. Sipas tyre, ai ishte burrë i urtë dhe shkonte çdo ditë në xhami e kryente ritet fetare. Ne nuk e besojmë se Muça është vetëvrarë. Ai nuk kishte pse ta bënte një akt të tillë”, pohuan banorët. 

FAMILJARET 

Pista e vetëvrasjes së 86-vjeçarit hidhet poshtë nga familjarët e tij. Gjatë marrjes në pyetje në polici, ata kanë deklaruar se plaku është vrarë. “Ne dyshojmë për vrasje. Shemsiun mund ta ketë vrarë ndonjë besimtar mysliman brenda në xhami. Kjo, për faktin se më 22 mars, festën e Novruzit, ka pasur një sherr në xhaminë e fshatit. Shemsiu nuk ka ngrënë ushqimin që është servirur në xhami, ndërsa disa besimtarë e kanë akuzuar se ai nuk ka ngrënë bukën e Zotit. Atë ditë është bërë sherr, dhe ka mundësi që ndonjëri prej besimtarëve e ka goditur me thikë për vdekje”, janë shprehur pjesëtarë të familjes Muça. Ata kanë kërkuar zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes.