Kryetari i Partisë Demokratike, njëherë lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim në Vorë, ku teksa u bëri thirrje qytetarëve për të marrë pjesë në protestën e së shtunës, prezantoi edhe programin e opozitës.
Ai tha se do të ketë një dialog kombëtar me qytetarët, për të vendosur jo për t’u futur në zgjedhje me Edi Ramën, por për të vendosur sistemin zgjedhor që ata duan. Sipas Bashës, opozita nuk ka kërkuar e as nuk do të kërkojë pushtet në tavolinë.
“Na duhet dhe do të kemi një dialog kombëtar, me të gjithë ju, për të vendosur jo largimin e Edi Ramës, pasi ky është parakusht, por që përmes zërit dhe votës tuaj, të vendosni për sistemin maxhoritar, një senat apo edhe një president mbi partitë, përse jo të zgjedhur nga populli. Referendume kombëtare dhe lokale për çdo çështje”– tha ndër të tjera Basha, ku shtoi: “Të shtunën të gjithë bashkë, për të ndalur dorëzimin e demokracisë, me të gjitha mjetet demokratike”.





