Anëtarja e Komisionit të Votimit, Merita Dakovelli ka bërë të ditur se shumë anëtarë të Partisë Demokratike nuk janë vendosur në lista për të votuar referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar të PD-së.

Dakovelli u shpreh se demokratët po votojnë duke paraqitur kartën e anëtarësisë dhe kartën e identititetit.

“Kanë dhënë kartën e anëtarësisë sepse nuk i figuron emri, ndërkohë që janë anëtarë të Partisë Demokratike. Procedura është që ne i fotokopjojmë të dyja, i regjistrojmë emrin, ditëlindjen, numrin i ID dhe firmën”, tha Dakovelli.

Ndërkohë, avokatja Dakovelli deklaroi më tej për “DurrësLajm”, se dhe ajo vetë nuk e kishte emrin në listën e anëtarësisë, megjithëse në telefon i kishte mbërritur një ditë më parë një mesazh që e ftonte të bëhej pjesë e Kuvendit Kombëtar, të datës 18 dhjetor.