TIRANE, 04 mars 2013 – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka miratuar kërkesën për zhvillimin e një referendumi për ndalimin e importit të plehrave në Shqipëri, në një vendim suprizë për grupin nismëtar. Vendimi është miratuar me vetëm një votë kundër, por zbardhja dhe publikimi i vendimit nuk është kryer ende.

“Ne kishim bindjen që gjykata do të jepte vendim pasi është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë sot dhe në të ardhmen, përfshirë edhe ata që punojnë në institucione të tilla si Gjykata Kushtetuese. E vlerësojmë këtë vendim si një provë e qytetarisë që i shërben vendit për të krijuar një të ardhme më të mirë,” deklaroi Kozara Kati, anëtare e grupit nismëtar për zhvillimin e referendumit.

Beteja për referendumin duket se është shumë larg të qenit e përfunduar. Brenda 45 ditësh, Presidenti i Republikës do të duhet të përcaktojë datën e zhvillimit të referendumit, i cili sipas ligjit, nuk mund të zhvillohet më herët se sa 1 prilli i vitit 2014.

Ky është referendumi i parë në historinë e Shqipërisë që kërkohet jashtë rrugëve të politikës së qeverisë dhe partive politike dhe ka kaluar në shumë peripeci deri sa mbërriti në këtë pikë.