TIRANE, 07 mars 2013-Në të njëjtën linjë me eurokomisionerin Fyle, edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, këshillon konsensusin politik për miratimin e 3 ligjeve të nevojshme për statusin kandidat, në vend të votimit popullor.
I pyetur nga “News24” për mendimin tij lidhur me miratimin në parlament të referendumit për tri ligjet, ambasadori Sequi theksoi se nuk ka asgjë për t’i shtuar deklaratës së eurokomisionerit Fyle.
“Do të thoja pak gjëra të thjeshta. Komisioneri Fyle tha gjithçka, nuk do të shtoja asgjë pas asaj që zoti Fyle ka thënë. Do të doja të bëja vetëm një koment. Duhet ta keni vënë re që ne gjithmonë flasim për konsensus dhe dialog. Dhe do t’iu them se cila është mënyra jonë e interpretimit të dialogut. Për ne dialogu nuk është shuma e dy monologjeve.”- deklaroi ambasadori.
Një ditë më parë, komisionari Fyle nënvizoi se statusi i kandidatit për Shqipërinë është i arritshëm dhe nuk ka arsye për të mos e menduar këtë. Komisioneri Fyle shprehet në mënyrë të prerë se nuk i pëlqen që 3 kushtet të lidhen me asgjë tjetër, të cilat i konsideron si lidhje artificiale.
“Shqipëria është një vend sovran. Politikanët e zgjedhur kanë të drejtë që të aprovojnë vendimet që ata i gjykojnë të drejta për vendin dhe t’i testojnë ato në zgjedhjet e ardhshme. Por më lejoni të rikujtoj diçka, që e kam thënë dhe në Shqipëri dhe Bruksel: Nuk më pëlqen që 3 kushtet të lidhen me asgjë tjetër. Nuk i dua këto lidhje artificiale. Shqipëria ka arritur një rezultat shumë të mirë të aprovimit të ligjeve me shumicë të cilësuar. Pra, është e mundur. Por kur politikanët duhet të trajtojnë çështje të ndryshme, dhe një situatë që disa mund ta quajnë si populizëm, nuk mund të përdoret referendumi që të imponohet rregullorja e Kuvendit në parlament. Kur fillohet të bëhet kjo, atëherë ku mund të jetë fundi i saj? Ku është fundi i kësaj krijimtarie për të përdorur referendumin për rregulloren e Kuvendit apo vendime të tjera?” – u shpreh Fyle.
Edhe para 4 ditësh, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, përmes një deklarate për mediat e quajti kërkesën për referendum si të papërshtatshme për ndërtimin e dialogut në Shqipëri.