-Me humor dhe shëndet, të fortë si në rininë e tyre
Afrimi i dy shekujve jetë, rrit shpresat dhe optimizmin edhe tek të tjerët
Nga BUJAR QESJA
Gjithnjë i kam dhënë rëndësi, të ashtëquajturës gazetari e vogël në formë, por që bart histori njerëzore nga më të çmuarat, nga më tërheqëset dhe nga më të kërkuarat nga njerëzit. Ankohemi, qahemi, mërzitemi, lodhemi së kërkuari për të thënë, që kjo jetë nuk po na ofron atë që dëshirojmë. Natyrisht duam të kemi më shumë, të konsumojmë më shumë, të argëtohemi e të kënaqemi më shumë, jo rrallë kjo edhe jashtë mundësive. Duam të kapim maksimalen, pa e ditur se si mund të realizohet kjo. Duam, e çfarë nuk duam.
Duke gërrmuar me kazmën e lapsit, tokën e ngjeshur të fakteve, të dukurive që kalojnë deri në kufijtë e surprizës dhe të befasisë, gjen mjaft përgjigje nga obsjonet që shprehëm në fillim të shkrimit, por në një formë tejet origjinale. Si zanatali i vjetër, por edhe si njeri i ndjeshëm dhe shumë i vëmëndshëm, ndaj dukurive të ditës që më rezervon përditshmëria ime, përgjegjësia ndaj profesionit është në antena të ngritura tërë kohën, për të kapur dhe vrojtuar të veçantën.
Krejt papritur, më kalojnë pranë një çift të moshuarish. Natyrisht që i njihja. Por cila ishte e veçanta, që nuhata në pamjen e tyre? Ecja e qetë, e lirshme dhe biseda me humor që zhvillonin. Të dy kishin nga një mbajtëse. Burri mbështetej në lëvizje tek dyrroktakshi i vjetër, por shumë i fortë. Biçikletë tipike durrsakësh, disi e ndryshkuar, pa parafrango, pa zile e salltaneta të tjera. Boll që ecte dhe nuk të linte në rrugë. Për këtë njeri dhe për këtë biçikletë, kam shkruar dhe jehona në popull ka qenë shumë e madhe.
E kam tejkaluar kuptimin, se njerëzia të bukurën e shikojnë tek e thjeshta, tek ajo që i ofrohet më shumë shpirtit natyral, të pashtirur, por origjinale. Prandaj gjërat që shkruhen me zemër, që provokohen nga shpirti i personazhit, nga bukuria dhe mirësia e tij, suksesin e kanë në xhep dhe jehonën që e mban gjallë profesionin. Gruaja, apo zonja e këtij zotërie, mbahej mbi bastun, që më dukej si shkopi i një dirigjenti të njohur, që vinte në lëvizje orkestrën më të famshme në botë. Ecte pak me mundim, por forca dhe rinia e dikurshme, nuk i ishte shuar. Bisedonin, ndalesheshin, qeshnin dhe rinisnin lëvizjet.
Natyrisht që i ndala. Zyhdi Mara është prej kohësh personazhi im, pasi prej kohësh ka qenë dhe mbetet, esenca e modestisë dhe e thjeshtësisë durrsake. Flet pak, ngadalë, i qetë duke ngjasuar me bunacën e detit, me zhargon alla durrsakëshe, që na e nxit më shumë bisedën me të. Por të shoqen, e njohur shumë nga çdo durrsak dhe durrsake, kisha kohë pa e parë dhe pa e takuar. E cila është?
Quhet Refije Mara. Mbiemri i vajzërisë gjirokastrite, është Mersini. E martuar me Zyhdiun, 67 vite të shkuara. Erdhi nga Gjirokastra në Durrës, në moshën 22 vjeçare dhe pas dy viteve ndërton dasmën, me një përfaqësues nga më të mirët e fisit me peshë në Durrës Mara. Refija njihet me emrin e shkurtuar Refo.
Me kulturë të lindur, me sjellje aristokratësh, me zakone njerëzore shumë të fisme, profesioniste nga më të mirat, ka shkruar historinë e punonjëses së shërbimit në përmasa historike. Ku nuk ka punuar. Pastiçere, por më shumë na banak. Sistemi i turizmit dhe Ndërmarja Tregtare e Ushqimit Social, e kanë patur në ballë të nderit, këtë Refo gjirokastrite.
Nisa dialogun.
-Kam kohë që nuk të kam parë?
-Sot kam dalë për herë të parë pas dy viteve. Rashë dhe u bëra copash nga kockat. Por këta çunat durrsakë të spitalit të qytetit, ma bënë hyzmetin. Më duket se në vend të kockave, kam në trup skelet hekuri që më mbajnë në këmbë. Hekura kam në trup dhe hekur do të mbetem edhe për shumë vite.
-Pa ma thuaj pak moshën, se Zyhdiut ia di dhe ia kam publikuar?
-Jam e vitlindjes 1933. Hesapet bëji vetë.
-Me shëndet si qendron?
-Siç më sheh. Eci pak me vuajtje, por Zot shyqyr nuk mbetem në rrugë. Me sebep të marrjes së pensionit, i thash Zydit: do të provoj të dal edhe unë me ty. Më duket se jam më mirë.
Nisëm të bënim shaka. Natyra e këtij çifti priret drejt shakave, humorit që buron nga vetë shpirti i tyre i pastër, i mbushur plot me mirësi dhe bukuri. Janë shumë të pasur, aq sa skanë ku ta çojnë. Por jo pasuri monetare, por shpirtërore. Ai që i njeh, e din fort mirë se janë më të pasurit e Durrësit. Por jo në para, por në zemër që e kanë “sa qielli dhe sa toka”. Këtu buron forca dhe optimizmi i tyre.
Zyhdi Mara, 95 vjeç. Refije Mersini Mara 91 vjeç. Mbledhja e thjeshtë arithmetike, i vendos në shifrat e 186 viteve jetë. Sa të privilegjuar! Skanë prish qejf me njeri. Zemra e madhe, e mira e të zot. Zyhdiu dhe Refije, kujdesen për rritjen e zogjve. Kanë hapsirë dhe dëshirë për të ngjallë jetën e shpendëve si pulat, ndonëse nuk i konsumojnë ato. Pas pak veçse kur i shikon, duke troktur në dyert e komshive dhe i ofrojnë për kënaqësi plot gëzim pulat e tyre. Ua falin. Dhe zemra pas kësaj i bëhet mal.
Pasi mësova këtë fakt, u binda se thasët 25 kilëshe që mban në biçikletën e tij Zyhdi Mara, janë ushqim për pulat, të cilat ua shpërndajnë miqve dhe komshijve. Eh o të bekuar! Dhe Zoti po ua shpërblem me jetë, me respekt dhe mirënjohje.
Kur u takuam, u thashë me humor:
-Tani jeni 186 vjeç që të dy. Kërkohen edhe 14 vite, që të shkoni tek dy shekujt. Jepuani durrsakëve këtë shans, mbase për qytetin mund të përbëjë rekord Gines. Jeni për marshallah!
-Unë jam shumë afër, ngacmon bisedën Zyhdiu. Dua edhe pesë vitë të kap shekullin tim. Pas kësaj, do të ndihmoj Refon.
-Kam pesë të tuat ti, se këto nëntë të mijat, i kam të sigurta unë! Kështu i hodhi zjarr humorit Refoja.
Sa minuta të bukura kështu, kaluam me këto 186 vjeçarë! Kuota shumë të larta jetësore. Shembull, shpresë, besim dhe optimizëm edhe për ne të tjerët. Kur bën mirë, ai lart të shikon. Kështu po ndodh edhe me këtë çift të lumturish, të cilët kështu janë më të pasurit në botë.
As nuk i pyeta, por as nuk më thanë gjë, se sa pension kishin në bordero. E marr me mënd, se përsa para firmosin. Por nuk u qanë, nuk u ankuan, pasi me zemrën që kanë, u del dhe u tepron.
Do të rrojmë dhe do të presim, kur të mbushni 200 vite jetë Refije dhe Zyhdi Mara!
Bujar Qesja
Durrës: 4 tetor 2024
Në pamje, çifti i lumtur Refije (91 vjeç) dhe Zyhdi Mara (95 vjeç).