Prej gati 3 muajsh, parkimi me kate pranë stacionit të trenit në Durrës është funksional. Problematika kryesore e konstatuar në të është hyrja -dalja nga parkimi, të cilën “DurrësLajm” e pati denoncuar muaj përpara përfundimit të këtij investimi publik.
Por vetëm tani, enti zbatues i projektit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka reflektuar. Punimet që janë duke u kryer prej disa ditësh në rrugën “Ijaz Reka” do të bëjnë të mundur ndryshimin e pozicionit të hyrje-daljes nga parkimi, duke mos qenë më në kënd pingul me rrugën “Mars 91”, e njohur ndryshe si rruga paralel me portin.
“Këtu po bëhet një rrethrrotullim, i cili është në funksion të parkimit për stacionin e ri të hekurudhës. Do bëhet një hyrje dalje për rrethrrotullimin dhe do të bëhet e mundur hyrja në parkim dhe dalja nga parkimi. Do të ndryshojë hyrja-dalja aktuale nga parkimi. Hyrja do të bëhet pranë hyrjes aktuale, ndërsa dalja do bëhet në fund të parkimit”,- bëri të ditur inxhinieri i firmës zbatuese të projektit, .Bukurosh Sejdini.
Ndërhyrja në aksin “Iljaz Reka” pritet të përmbyllet brenda 2 javësh dhe më pas kjo zonë do të shërbejë si pikë hyrje-dalje për godinën me kate të parkimit “për të mundësuar kështu një organizim më të mirë të trafikut, lehtësimin e aksesit të kontrolluar në godinën e parkimit dhe rritjen e sigurisë për automjetet dhe këmbësorët”, shkruante pak ditë më parë në një postim në rrjete sociale, kryebashkiakja Emiriana Sako.
Pasi të përfundojë investimi, aksi “Iljaz Reka” pritet të jetë dykalimësh dhe do të ndalohet parkimi anës rrugës.
Në përfundim të ndërhyrjes, do të shihet qartë nëse zgjidhja e ofruar këtë herë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të jetë funksionale, apo do të jetë një tjetër absurd shqiptar, që kontribuon për të vështirësuar lëvizshmërinë e automjeteve në qytetin bregdetar.
M.B.





