Reforma e pensioneve në Francë ka shkaktuar për muaj të tërë trazira në të gjithë vendin.

Si pasojë, pakënaqësia ndaj presidentit francez Emmanuel Macron është rritur ndjeshëm.

Së fundmi në një intervistë për Le Parisien, shefi i Elizesë ka pranuar duhet të bënte më shumë për të mbrojtur reformën aq shumë të kontestuar në vend.

“Ndoshta gabimi ishte që nuk isha mjaftueshëm prezent për të dhënë më shumë besueshmëri dhe për ta kryer vetë këtë reformë. Më duhet të angazhohem sërish në debatin publik sepse ka gjëra që nuk janë të qarta.”

Për francezët, kreu i shtetit paralajmëroi ditë të vështira për shkak të inflacionit të lartë.

“Dua të tregohem i sinqertë, çmimet e ushqimeve do të jenë më të larta deri në fund të verës.”

Kriza e kostos së jetesës e ka shtuar ndjeshëm trysninë ndaj Macronit i cili është përballur tashmë me protesta të dhunshme për vendimin e tij të rritjes me dy vjet të moshës së daljes në pension.