Në kuadër të hapave që po ndërmerren për rikthimin e ligjshmërisë në sektorin e ujit të pijshëm, zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, zhvilloi një takim me Prefektët e 12 Qarqeve të vendit.

Bonati i njohu ata nga afër me ecurinë e deritanishme të ndërhyrjes në terren nga ndërmarrjet e ujësjellësve në kuadër të fazës së parë të operacionit që ka të bëjë me ndërgjegjësimin e qytetarëve.

“Tashmë është një fakt që ky aksion po sjell frytet e para që janë mjaft pozitive. Janë rreth 6 mijë kontrata të lidhura në një periudhë shumë të shkurtër për një muaj. 6 mijë kontrata të reja që po t’i referohemi madhësisë së bashkive, si të themi është formalizuar një bashki e tërë, për një afat kohor që është mjaft i shkurtër. Pra, ne synojmë që me kalimin e ditëve, deri në fund të kësaj periudhe të parë që është periudha e sensibilizimit, gjithë subjektet të ofrojnë shërbim të shpejtë, të vazhdojë procesi i formalizimit. Duhet kujtuar që 1 shkurti është data që do nisë aksioni derë më derë dhe çdo ndërhyrje do penalizohet sikundër e parashikon ligji”, u shpreh Bonati.

Më tej, zv.ministri kërkoi që Prefektët të marrin një rol aktiv në ndjekjen nga afër të punës që bëjnë Bashkitë dhe ujësjellësit në zonat respektive. Bonati u ndal edhe te kontrolli që duhet bërë ndaj institucioneve publike dhe nëpunësve të administratës.