Ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian kanë vijuar sot pasdite përpjekjet për gjetjen e konsensusit për implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë, duke zhvilluar një takim të gjatë me kryeministrin Edi Rama.

Për afro dy orë, ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë qenë në Kryeministri, ku kanë biseduar me kryeministrin për ngërçin e krijuar. Qëndrimi i kryeministrit për të mos përfshirë mendimin e opozitës në krijimin e organeve të reja të drejtësisë mund të çojë në bllokimin e reformës, pasi nevojitet ndryshimi i Kushtetutës dhe mazhoranca nuk i ka votat për një gjë të tillë.

Askush nga të tre palët në bisedime nuk është prononcuar për atë që është folur në zyrën e kryeministrit Rama.