Pavarësisht se zgjati më shumë se tre orë, detajet nga takimi i kryetarit të Kuvendit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara janë të pakta. Por, fakti se në takim u përfshi edhe ministri i drejtësisë Ylli Manjani, reforma në drejtësi patjetër që ka qenë në qendër të bisedimeve.
Në momentin që u duk se vijimi i diskutimit për detajet e paketës ligjore që përbëjnë reformën në drejtësi ishte në udhë të mbarë, konsensusi mes palëve u prish. Diskutimi i opinionit të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi pritej të zhvillohej në nivel ekspertësh, por përfaqësuesit e opozitës munguan. Më herët, Enkeleid Alibeaj, përfaqësues i Partisë Demokratike, kishte bërë të ditur se nevojitej mandat politik për diskutimin e opinionit të Komisionit të Venecias. Një gjë të tillë kishte lënë të nënkuptohej edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes ministrit të drejtësisë Manjani.
Ky ngërç i papritur solli ambasadorin amerikan Donald Lu në zyrën e kryeparlamentarit Ilir Meta, të cilëve iu bashkua edhe ministri Manjani. Ndërkohë, rezultatet e takimit do të mund të mësohen më vonë, teksa do të shihet se si do të vijojë diskutimi i detajeve teknike të reformës në sistemin e drejtësisë.





