Mazhoranca është duke punuar prej disa muajsh për një paketë ndryshimesh për Reformën në Drejtësi.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke folur për gazetarët, ftoi edhe opozitën që të ulen së bashku për të diskutuar për paketën e ndryshimeve.
Këto ndryshime në kuadrin ligjor, Balla i konsideroi si përmirësime dhe rregullime të Reformës në Drejtësi të ardhura si sugjerime nga shtete partnere.
“E dyta lidhet me vijim e punës në disa çështje të rëndësishme në Kuvendin e Shqipërisë. Prej disa muajsh në Kuvend po punohet për një paketë ndryshimesh në disa ligje që janë pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi që lidhen me disa përmirësime apo rregullime dhe me kolegen Bushka do kërkojmë që me opozitën të kemi mundësi të flasim në mënyrën që këto ndryshime që vijnë si sugjerime nga institucionet partnere që monitorojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi, shpresoj që ne si shumicë të kemi mundësi të ulemi me opozitën për t’i diskutuar.
Unë nuk caktoj dot se kush është opozita në Kuvend. Dihet që opozita është PD që janë shumica e opozitës dhe në këtë kontekst duhet që për hir të punës së përbashët të ulemi dhe diskutojmë çështje të cilat meritojnë që të punojmë së bashku dhe në këtë këndvështrim mezi pres që të ulemi t’i diskutojmë dhe të shkojmë t’i votojmë përsa kohë që shumica e ligjeve në këtë paketë kërkojnë shumicë të cilësuar.
Çdo grup parlamentar ka vendimmarrjet e veta. Dhe sa kohë që çështje të caktuata kanë të njëjtin objektiv kjo sjell dhe mundësinë për t’i votuar së bashku. Të gjithë mendojmë që janë çështje që duhen bërë dhe kuvendi duhet të ndërhyjë për të përmirësuar kuadrin ligjor. Kush e jep votën për diçka të mirë nuk është tradhti brenda opozitës”, u shpreh Taulant Balla.