Kryetari i Partisë Demokratike, në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, ka vijuar me akuza kundër mazhorancës dhe aleancës Rama-Meta. Duke iu referuar reformës në drejtësi, Basha ka thënë se Partia Demokratike kishte kërkuar dhe kërkon konsensus mes palëve.
“Fjala konsensus duhet të jetë fjala kyçe për reformën në drejtësi, – tha basha. – Konsensusi zhduk pazaret dhe shantazhet e Vilës 30, konsensusi shpëton drejtësinë nga kapja politike. Rama është një usta i pazareve dhe i druhet kësaj.”
Por, kreu i demokratëve pati një lloj ‘flirtimi’ me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kur vlerësoi qëndrimin e tyre për reformën në drejtësi. “Ne përshëndesim qëndrimin e LSI për rezervat në draft dhe mendimet ndryshe dhe do të donim që për këtë gjë Rama të reflektonte. Kjo është një vlerë e kulturës politike, por nuk do të thotë zhdukje e pazareve,” – tha Basha.