Ish-kryeministri Sali Berisha ia ka bërë të qartë mazhorancës se çfarë e pret atë në Kuvend, kur të diskutohet miratimi i akteve ligjore të reformës në sistemin e drejtësisë, teksa ia ka mohuar kategorikisht asaj mbështetjen e votave të opozitës. “Unë kam bindjen se nga opozita Edi Rama nuk do mund të garantojë asnjë votë,” – ka deklaruar Berisha, gjatë një komunikimi sot me mediat.
Reforma në sistemin e drejtësisë përbëhet nga një paketë e plotë aktesh ligjore, të cilat parashikohet të ndërtojnë një ngrehinë thuajse të re të drejtësisë në vendin tonë. Pjesë e këtyre akteve ligjore janë edhe një seri ndryshimesh kushtetuese, të cilat janë në themel të të gjithë reformës në sistemin e drejtësisë. Por, pavarësisht debateve politike apo teknike dhe pavarësisht vullnetit të palëkundur të mazhorancës që institucionet e reja kushtetuese, që do të drejtojnë gjithë sistemin e drejtësisë, të zgjidhen me votat e tre të pestave të të gjithë deputetëve, vetë ndryshimet kushtetuese mund të miratohen vetëm me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve. Kjo përcaktohet qartë nga neni 177 i Kushtetutës.
Në këto kushte, pavarësisht se mazhoranca hodhi poshtë propozimet e opozitës gjatë hartimit të paketës ligjore për të konkretizuar reformën e sistemit të drejtësisë, votimi për ndryshimet kushtetuese do ta detyrojë mazhorancën të bëjë lëshime. Në rast të kundërt, reforma mund edhe të mos miratohet.
Ndonëse kjo do të mund të interpretohet si një pengesë që opozita i nxjerr reformës në sistemin e drejtësisë, ish-kryeministri Berisha u tregua i qartë për qëndrimin që ajo do të mbajë. “Deputetët e opozitës, pavarësisht nga kundërshtirat që mund të kenë, nuk janë kriminelë që shiten dhe blihen, nuk i përkasin merkatos së krimit,” – tha Berisha.
Ish-kryeministri ka ngacmuar edhe marrëdhëniet që kryeministri Rama ka me aleatin e tij Ilir Meta. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për përpjekjet e Ramës për të thithur vota nga opozita, Berisha tha: “Kjo që përhap Rama është thjesht një presion që i bën aleatit të tij në qeverisje, është një formë presioni ndaj vëllaut armik në qeveri.”