Gjatë takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu, ish-kryeministri Sali Berisha i është rikthyer edhe një herë deklaratës që dha edhe të enjten e shkuar, për lënien e mandatit dhe kjo vinte si pasojë e një parlamenti të inkriminuar. Sipas Berishes, nëse disa muaj më parë kishte shprehur mundësinë e dorëzimit të mandatit, kjo ishte një mundësi hipotetike, por në kushtet e krijuara, me sjelljen nga Rama të Prengës në parlament, ai e gjen shumë të vështirë pranimin e një parlamenti të tillë, të përgjakur.

Ambasadori Lu i dorëzoi Berishës dokumentin e opinionit të Komisionit të Venecias, të datës 26 shkurt 2016. Në takim u diskutua gjerësisht për reformën në drejtësi. Berisha theksoi se, në bindjen e tij, dokumenti i Komisionit të Veneciaspërbën një bazë parimore, solide, të shëndoshë për të ecur përpara dhe kompletuar reformën në drejtësi. Më tej, Berisha shprehu mendimin se është me shumë rëndësi që të fillohet, pa humbur kohë, me krijimin, sipas rekomandimeve të Komisionit te Venecias, të njësisë antikorrupsion, pasi Komisioni i Venecias ka folur qartë se kjo njësi nuk mund të ndërtohet siç dëshironte Edi Rama, por sipas parimeve të hetimit të pavarur.

Në këtë kontekst, Berisha theksoi se qëndrimi i Ramës pas vizitës së sekretarit Kerry, në të cilën ai lavdëroi forcat politike në Shqipëri për ligjin e dekriminalizimit, është i papranueshëm. "Shfaqja të nesërmen e Ramës me Roshin, dërgimi i ministrit tek Bushi dhe kthimi i Prengës në parlament janë të gjitha mesazhe të besnikërisë së Ramës ndaj kriminelëve dhe krimit, dhe kjo e bën vendin shumë të pasigurtë," – ka thene Berisha. Po kështu, Berisha theksoi se kjo qeveri ka zhdukur ligjin e konfliktit të interesit dhe sot pasuritë publike po rrëmbehen me shpejtësi të madhe nga vëllezërit, fëmijët, baballarët e Ramës, ministrave të tij dhe qeveritarëve të tjerë. Ai u shpreh se kjo përbën një problem madhor për vendin ndaj dhe theksoi se është emergjente çdo plotësim ligjor i nevojshëm për të mbrojtur pasuritë publike të vendit.

Ndryshe nga takimet e tjera me ish-kryeministrin Berisha, ku ambasadori Lu ka shkuar vetëm, në takimin e zhvilluar mesditën e sotme, ai shoqërohej edhe me shefin e OPDAT, Jon Simbert.