Ekspertët e Komisionit të Venecias, para largimit nga vendi, ka mbajtur edhe një konferencë për shtyp, ku kanë qartësuar hapësirën e punës së tyre, e cila nuk përfshin konfliktet politike në vend. “Çështja më e diskutueshme ka qenë shumica që duhet të përdoret për zgjedhjen e drejtuesve të organeve të ndryshme, – tha Thomas Markert, sekretari i Komisionit të Venecias. – Ekspertët kanë propozuar që të zgjidhen me tre të pestat, ndërsa opozita që të zgjidhen me dy të tretat. Të dyja këto opsione janë sipas standardeve evropiane, ndaj nuk ka nevojë për ndërhyrjen e Komisionit të Venecias.”
Duke komentuar takimet e zhvilluara gjatë ditës, ekspertët kanë thënë se bëhet fjalë për një çështje të komplikuar dhe e vunë theksin tek pikat ku duhet të fokusohet reforma në drejtësi. “Kjo reformë është e domosdoshme për Shqipërinë, – tha Markert. – Kjo nuk është një reformë e thjeshtë, por duhet kohë për ta realizuar dhe duhet të rregullojë statusin e prokurorit, gjyqtarit dhe të luftojë korrupsionin. Ne e mbështesim vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kemi dhënë detaje dhe rekomandime në takimet e zhvilluara, ndaj raporti i ndërmjetëm ka shumë faqe. Do të kemi edhe komente përfundimtare në raportin përfundimtar, por mund të them se reforma është në rrugën e duhur.”





