Ministri i drejtësisë Ylli Manjani, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në Gjermani, ka takuar sot homologun e tij Haiko Maas, si edhe sekretari parlamentar për drejtësinë Christian Lange. Gjatë takimit, Manjani ka vlerësuar se reforma në drejtësi në Shqipëri ka nevojë për mbështetjen dhe mendësinë gjermane. “Shqiptarët besojnë tek makinat dhe produktet gjermane, ndaj ne duam që reformës në drejtësi t’i vendosim një motor gjerman, në mënyrë që të fitohet besimi tek drejtësia,” – ka thënë Manjani.

Ministri i drejtësisë ka falënderuar në këtë drejtim asistencën e misionit EURALIUS dhe ka nënvizuar se, ligjet procedurale në Shqipëri do të hartohen sipas modelit gjerman. Ndërsa ministri gjerman Maas nga ana e tij ka vlerësuar se reforma në drejtësi është e domosdoshme për anëtarësimin e vendit në BE, ndërsa ka shtuar se konsensusi mes palëve është i domosdoshëm për jetëgjatësinë e saj.