Kryeparlamentari Ilir Meta u ka kërkuar ekspertëve të Partisë Demokratike që të ndalin bojkotin dhe t’i kthehen tryezës për të diskutuar mbi opinionet e Komisionit të Venecias për paketën e ligjeve të reformës së sistemit të drejtësisë. Thirrja e Metës erdhi pas takimit që ai zhvilloi sot në mesditë, prej afro dy orësh, me kryeministrin Edi Rama.
Për shkak të bojkotit të ekspertëve të Partisë Demokratike, Meta pati dje pasdite një takim të gjatë edhe me ambasadorin amerikan Donald Lu.
Ekspertët e opozitës kishin lajmëruar që më parë bojkotin e tryezës pasi, sipas tyre, diskutimi i opinioneve të Komisionit të Venecias kërkonte mandat politik.
Ndërkohë, pas takimit me Metën, kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me kreun e shtetit Bujar Nishani. Por, as kryeministri dhe as kreu i shtetit nuk janë prononcuar mbi atë që është biseduar mes tyre.