Ministri i drejtësisë Ylli Manjani priti sot në takim ekspertët e Komisionit të Venecias, në vijim të axhendës që ata kishin planifikuar gjatë vizitës në Tiranë. Gjatë këtij takimi, të pranishmit kanë bashkëbiseduar mbi disa çështje me mjaft rëndësi që lidhen me reformën në drejtësi, sikurse ishin roli i ministrit të drejtësisë në raport me sistemin gjyqësor dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu, gjatë diskutimit me rëndësi u cilësuan edhe çështjet që lidhen me proçesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa është folur edhe mbi parimin e karrierës dhe rekrutimin e tyre. Ministri Manjani dhe ekspertët e Komisionit të Venecias kanë shkëmbyer mendime edhe mbi proçesin konsensual të hartimit të ndryshimeve kushtetuese.